Vala

Ka kohë që kam një dëshirë për një shkrim, për një intervistë sy më sy me Shemin. Sepse, këngët e tij jo vetëm që janë hite, por gjithmonë këndohen me ëndje, me mall, me ndjenjë, sidomos nëse në ato vargje gjen edhe diçka tënden, shkruan “Kosovarja”.

Dhe, ime dëshirë u realizua. Shemi nuk di t’i thotë jo “Kosovares”, sepse mu në këtë revistë, shumë vite më parë, e ka pasur edhe intervistën e parë… E, të mos flasim se për “Kosovaren”, siç thotë edhe ai vetë, ka mall, sepse e kthen në kohë të shkuar, në kohën kur ishte tinejxher.

“Sa e sa vite…” është një këngë jotja, e që aso kohe ishte hit, e hit është edhe tash, sa herë që dëgjohet. Edhe ti, sa e sa vite je në skenë dhe gjithnjë e më i fuqishëm, më i adhuruar…
– Sa e sa vite kaluan kur kisha intervistën e parë në revistën “Kosovarja” dhe prapë ja ku jemi… Përsëri bashkë…

Filluat si grup më 1981 me emrin “Ilirët” dhe me këngën “Merita”. Edhe sa Meritave të tjera u keni kënduar?
– Vërtet, u kemi kënduar shumë femrave shqiptare dhe përherë do të këndojmë për to. Por, njëherësh, kemi kënduar edhe për Mixhën Mursel. Të tillë jemi ne, “Ilirët”…

“Xhamadani vija-vija” është një këngë tjetër jotja, e që të tjerët e këndojnë dhe mendojnë se janë të parët që e kënduan, madje edhe nga këngëtarë shumë të njohur. Ke koment për këtë?
– “Xhamadani…” është këngë që do të këndohet përherë se është bërë si himn kombëtar. Dhe, mburremi që ne ia kemi vu kapakun. Por, nuk prish punë, edhe të tjerët le ta këndojnë, sepse, siç thashë, tashmë kjo këngë është bërë himn dhe himnin ka të drejtë ta këndojë gjithsecili…

Sa këngë i ke deri tash, sa albume dhe sa videoklipe?
– Këngët s’i kam numëruar, por kemi mjaft, edhe pse ne më shumë u kemi dhënë rëndësi performancave “live” sesa studios.
Po kështu, ne, “Ilirët”, jemi të njohur si grup që bëjmë kërdi në koncerte, diskoteka etj.

Keni pasur edhe një duet me Shkenda Dubovën. Ç’thua për këtë?
– Dueti me Shkenda Dubovën titullohet “Vitet në dashni”. Edhe ajo këngë u prit mirë dhe u bë hit, si të tjerat.

Cila këngë jotja mendon se t’ka dhënë më shumë popullaritet?
– Pa mëdyshje, “Xhamadani vija-vija”. Këtu s’ka koment…

A ke menduar se do të arrish këtë sukses që ke e do të bëhesh i famshëm sikur që je?
– Paj, dëshira ime dikur ka qenë të bëhem futbollist, por zgjodha këndimin dhe aspak nuk kam gabuar. Krijova famë të cilën do e lakmonte shumëkush.
Por, famën është vështirë ta mbash nëse nuk ke ideologji, kurse unë me grupin tim e kemi ideologjinë tonë dhe kjo na bën të dallohemi nga të tjerët.

A merresh edhe me punë tjetër veç muzikës?
– Nuk merrem me ndonjë punë tjetër. Muzikën e kam pasur profesion. Por, tash më shumë këndoj për shpirtin tim dhe këndimi më relakson. E ndiej veten mirë kur e kam mikrofonin në dorë…

Në vitet 90 je kudo nëpër Evropë në koncerte të ndryshme, kryesisht me Ganimete Abazin – Ganën. Ndonjë kujtim nga ajo periudhë jotja e artë?
– Me Ganën kam shumë kujtime dhe nuk di cilin ta veçoj. Megjithatë, në një koncert ma ka hequr kapelën nga koka dhe e ka hedhur në publik, por edhe unë e gjuajta Ganin në publik…

Në fund të viteve 90 e lë këngën dhe në vitin 2009 u paraqite sërish në Sheshin e Prishtinës për Ditën e Pavarësisë. Kthimi yt u mirëprit nga adhuruesit e këngës tënde. Ç’të shtyri të rikthehesh në skenë përsëri?
– Nuk munda të duroj më gjatë pa dal në skenë, ani pse, vërtet, kam menduar të mos këndoj më. Por, dëshira e madhe për grupin tim më shtyri të kthehem përsëri në skenë dhe atë, madje, furishëm.

Çka ke fituar dhe çka ke humbur gjatë atyre 10 vjetëve dhe a je penduar ndonjëherë që u largova nga skena?
– Nuk pendohem që jam larguar nga skena, sepse gjatë asaj kohe i jam përkushtuar kryesisht familjes, e cila përherë ka qenë preokupim imi dhe për të kam sakrifikuar shumë. Sepse, nganjëherë nuk shkojnë gjërat ashtu si duam ne…

Ke famë e thonë se nuk je mendjemadh. Hë?
– Kurrë s’kam qenë mendjemadh dhe më vjen mirë që edhe të tjerët e dinë këtë gjë. Kurrë nuk e kam shfrytëzuar famën që ta shkel dikë, assesi. Madje, edhe me adhuruesit e mi kam qenë i hapur dhe i thjeshtë.

A ke pasur momente kur ke thënë “Ah, sa idiote është jeta!”?
– Po, në jetë ka edhe momente kur nuk shkon çdo gjë sipas qejfit të njeriut. Por, vjen e nesërmja dhe sjell diçka të bukur. Dhe, përsëri gjërat vijnë në vend të vet…

Si reagon nga vështrimet e kalimtarëve në rrugë, në pube, duke qenë se jeni personazh publik?
– Herë jam në rrugë me kapelë, herë pa kapelë dhe ka edhe të atillë që nuk më njohin menjëherë. Pastaj, thonë: “Eeeeeeeee, po ai ishte Shemi, ore!”.

U ka rastis t’u ndalë policia e komunikacionit. Si reagojnë kur shohin se je ti?
– Kur më ndal policia e nuk jam në rregull, ia nisi këngës “Xhamadani vija-vija” dhe më lëshojnë… I korruptoj me një CD timen… Jo, bëj shaka… Policia jonë është polici profesionale dhe mburrem me policinë e Kosovës.

Ndonjë moment i gëzuar a i pikëlluar që ua ka dridh zemrën në jetën tuaj?
– Kam pasur ditë të lumtura, por edhe të vështira… Ndër ditët më të lumtura ishin ato kur më kanë lindur dy fëmijët e mi: Bonisi dhe Uliksi.

Si e sheh gjendjen momentale në muzikë, në radhë të parë kur fitohet përshtypja se në Kosovë secili dëshiron të bëhet këngëtar?
– Te ne më nuk dihet kush ha e kush pi… Kjo ma kujton thënien e një tim miku: “Rrota që sillet e kurrë nuk ndalet, ka vlera të dyshimta”. Por, kujt i bëhet vonë për këtë?! Ata prapëseprapë me tallave…

Ç’mendim ke për këngëtarët e rinj të Kosovës?
– Ka talent të rinj… Ka edhe të tillë që vështirë depërtojnë se kushte nuk kanë. Të tillët, edhe pse kanë ide, në idetë e tyre askush nuk beson e as nuk investon!
Në anën tjetër, këngëtarë kualitativ ka shumë pak, shkaku se te ne nuk ka kriter dhe çdo gjë shkon në mënyrë stihike…
E, nesër del një dikush dhe i thotë vetit: Jam këngëtar se jo mahi!

Si ka qenë rinia jote?
– Rinia ime ka qenë shumë dinamike. Si i ri kam filluar të këndoj dhe kam pasur një shoqëri fantastike, të mrekullueshme.

“Memoaret i shfletoj, dy pika loti më pikojnë”, janë vargje të një kënge tuaj. A bën ta dimë se në ç’kohë ndodhi dashuria jote e parë, a ia ke hapur zemrën dhe nga ishte ajo?
– Dashuria? Ndjenjë e mirë, por përherë kam dirigjuar me ndjenjat e mia… Zemrën duhet femra me ma hap, e jo unë asaj… S’ka pasur filozofi tjetër… Kështu kam menduar si i ri.

Po, dashuria jote e jetës kur ndodhi dhe si u njohët?
– Po aludoni në gruan time, a? Krejt ka shkuar shpejt… Nuk na u desh shumë kohë të mendojmë…

Jeta jote momentale tash dhe familja?
– Familja për mua është në vendin e parë. Të gjitha të tjerat janë gjëra sporadike në krahasim me te. Për ta jetoj… do jetoj… do vdes.

Me cilën shprehje, fjalë a mendim do të donit ta përfundojmë këtë bisedë?
– Një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë lexuesit e revistës “Kosovarja”, revistë kjo që unë do ta kujtoj përherë me mall, sepse më kthen shuuuuumë vite mbrapa, kur isha roker tinejxher.
E, të mos hyj llugave – edhe shumëçka tjetër…

Isa ILAZI /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË