Vala

Një automjet ‘Volkswagen Bora’ me ngjyrë të bardhë, pronë e Kompanisë ‘Novi Taxi’ nga veriu i Mitrovicës, është gjetur të martën nga policia i braktisur në fshatin Matica të komunës së Zveçanit.

Automjeti ka qenë duke e vozitur Vllado Ivanoviq, i punësuar si taksist në këtë kompani, i cili është deklaruar nga familjarët i zhdukur para tre ditësh.

Sipas këtyre burimeve, në automjetin e gjetur nga policia, janë gjetur gjurmë të gjakut dhe një gëzhojë plumbi, që dyshohet se personi i lajmëruar në polici si i zhdukur, është vrarë.

Zëvendës drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar vetëm se është gjetur automjeti, se policia ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet.

Ai theksoi poashtu se në automjet janë gjetur gjurmë të caktuara që mund të përbëjnë vepër penale, duke mos precizuar për çfarë gjurmësh bëhet fjalë.

“Njësitë policore nga dje janë duke siguruar vendin e ngjarjes deri në procedurat e mëtejme të cilat do të zhvillohen gjatë ditës së sotme. Në automjet janë gjetur gjurmë të caktuara të veprës penale, ndërsa rasti në polici evidentohet si person i zhdukur deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”, ka thënë Hoti.

MUND TË JU PËLQEJNË