Vala

Ai që nuk ka para duhet të ndërrojë jetë. Ai që ka duhet të vrapojë nëpër mjekë privatë për incizime të thella derisa klinika e ka po të njëjtin aparat! Në mungesë besimi në mjekësinë tonë, pacientët shkojnë te armiku ynë shekullor, në Beograd, te ata që na kanë helmuar në kohën e tyre. Pra, shërohemi te ata që na kanë marrë jetën, ndërsa mjekësia jonë bën biznes me pacientë!

Nuk di saktë, por e perceptoj sigurt se mjekësia kosovare po shndërrohet në biznes. Biznes profitabil, sikur bën terminali i vjeljeve në Han të Elezit, në kufirin me Maqedoninë, paratë e të cilës taksë shkojnë në xhepa privatë të njerëzve me emër e mbiemër, por që i njehë shteti dhe, madje, që ka miqësi me ta, në vend se t’i demaskojë e gjobojë.

Biznesi me mjekësi
Nejse, të dalim te biznesi tjetër: Mjekësia. Po shkruaj në veten e parë, për ta kuptuar më mirë se për çka është fjala. Në fakt, si kalon një pacient në reparte të QKUK-së, aty ku unë përkujdesesha për dikë disa ditë. Aty ku vështirë e kupton se je në klinikë dhe ku nuk dihet kush është mjek e kush është pacient. Kush është infermiere e kush është civile. Në fakt, kush kë e viziton?

Një korridor i tërë me civilë! Njerëz nga të gjitha viset e Kosovës në repart kirurgjie. Nuk di njeriu kujt t’i drejtohet për një përkujdes njerëzor që ka shkuar në shërbimin emergjent dhe ata e kanë dërguar në repart.
“A ka mjek këtu, he burra?”, pyes disa civilë.

Një grua më përgjigjet:
“Çfarë mjekësh, ore! Vetëm po sillen sikur ta kishin humbur kokën se jo që bëjnë diçka më shumë…”.

Disa në një dhomë bërtasin e disa heshtin teksa marrin infuzion. Diku qajnë vizitorët e diku qeshin…

“Mirë kaluam, mirë, shpëtoi…”, thotë një mesoburrë, vëllai i të cilit ka mbetur me një këmbë, meqë njëra i është amputuar.
“Po, çfarë e mire të mbetesh me një këmbë?! Kush po e sheh këtë të mirë këtu?!”, i them unë.

Dalim te tema. Kur ishte dikur drejtor Gazmend Shaqiri, motra ime ishte bërë operacion. Dhe, mezi hyra në klinikë që ta vizitoja. Kur më takoi Gazmendi në korridor, teksa edhe prisja rezultatin e operimit, bërtiti sikur të ishte polic e jo drejtor.
“Dil jashtë, sepse ka kush kujdeset këtu për motrën tënde! S’ke nevojë ta bësh dert këtë punë! Ne jemi këtu dhe për këtë paguhemi, më tha ai”.

“Po, drejtor, është pikërisht kështu, por jemi mësuar të dimë çdo gjë”, i thashë teksa fillova të dalë jashtë.
Çka tash?

Erdhi motra dhe e pyeti një civil:

“A ia bleve hapat këtij tëndit?”.

“Po, ia bleva”, tha familjari“Jepja tri herë në ditë, qysh ta ka

shënuar mjeku”, i tha ajo.

“Po, po, patjetër”, ia ktheu ai.

 

“Mirë, pra, mos harro me ia dhënë!”, e urdhëroi infermierja familjarin e pacientit.

Eh, thashë vetë me vete, je në klinikë dhe hapat duhet t’ia japësh vetë pacientit, se motra nuk ia jep. Duhet t’i blesh barërat vetë dhe duhet të flesh në dhomë te pacienti që kur të vjen koha ia jep barërat! Ta bësh natën sido që të mundesh.

Dikush kishte marrë batanije dhe shtrihej në mesin e shtretërve, sepse nuk qëndrohej tërë natën pa gjumë, plus kësaj pacienti nuk ishte një natë, por me net të tëra. Ku kemi ardhur, merreni me mend?! Gjendja jonë është aq e keqe sa nuk ka ku shkon tutje. Stafi zyrtar jep vetëm infuzione, pastron plagët dhe bën vizita, si dhe e ka sallën, por një numër shërbimesh që bien mbi ta nuk i kryejnë ata… Nëse do të hynim pak më thellë në detaje, do të thoshim se të gjithë ata civilë në repart sa sëmundjet ngjitëse do i sjellin në spital…

Vjen koha e ardhjes së mjekut dhe ai duket aty pari, por kur dua t’i bëja një pyetje, më thotë të pres se ka punë me dikë tjetër. Kalon edhe nja dy herë, i qepem pas të marr ndonjë informacion, por ai sërish më thotë të pres pak… Ndërkohë, nga largësia dëgjohet teksa bën muhabet me njerëz që nuk kanë lidhje me hallet brenda repartit.

Dhe, kur prisja që konsiliumi i mëngjesit ta thoshte fjalën vendimtare, ata veç e kishin liruar nga klinika!
“Nuk ka më nevojë me e mbajtur në spital, sepse nuk e ka më këmbën në rrezik. Nuk ka më nevojë të trajtohet në spital, por terapinë ta merr në shtëpi”, më tha po i njëjti mjek që disa herë insistova të bisedoja me të.

Dhe, e morëm pacienten dhe e dërguam në shtëpi. Erdhën i madh e i vogël nga tërë farefisi dhe akraballëku për ta vizituar për lamtumirë, meqë u përhap lajmi se spitali e ka lëshuar se s’ka më gjë prej saj. Kur të lëshon spitali, dihet çka të pret… Po me të njëjtin mendim kishin ardhur aq shumë akraballëk sa nuk i zinte as shtëpia… U bë shtëpia hallakamë, por çka t’i bësh. Kjo është gjendja jonë e mjeruar në klinika të QKUK-së, ku shërbim nuk të bën askush dhe ku një urim i vetëm del nga mijëra gojë tri herë në ditë: “Ruana Zot prej të keqes, sepse këtu nuk paska asgjë!”.

Në duar të armiqve

Nuk është çudi, prandaj, pse shkojnë pacientët tanë në Beograd, te armiku ynë shekullor dhe u bien në dorë sërish armiqve. Madje, mu atyre armiqve që dikur na i helmonte nxënësit e studentët. E, armiku ynë në Beograd është si luani kur luan me buall në savanet e Afrikës. Kur bualli mundohet me brirë ta sulmojë luanin, ai tërhiqet paksa mbrapa, jo që i frikësohet, por përdor taktikën që ta ndaj buallin nga kopeja, në mënyrë që kur ta sulmojë së dyti të mos ketë problem ta grabisë.
Kjo skenë e padukshme ndodh edhe në jetën tonë, ku pacientët, duke mos gjetur shërim në Kosovë, ia mësyjnë derës së armikut, e që mezi e kemi larguar nga Kosova.

Por, odisejada e pacientit tim shkon edhe më tej, ku CT-ja gjoja ia zbulon se ka edhe ujë në mushkëri, ndërsa pulmologët e kundërshtojnë këtë zbulim. Dhe, klinikë më klinikë, vend më vend, aty ku e ka e ku s’e ka vendin e shtrijnë, ia marrin paratë dhe i thonë se nuk je për këtu.
E, kujt t’i besoj?

Poshtë e lart me muaj të tërë dhe, më në fund, takova një “gjysmë” miku, e që me profesion është mjek, por që më shumë më njihte nga leximi dhe shkrimet sesa nga takimet.

“Ç’probleme ke?”, më pyet ai mua.

“Ku ta gjej një njeri që t’i besoj shpirtërisht dhe njerëzisht, që ma thotë të vërtetën se çka të bëj dhe cila është rruga e shërimit të një të sëmure që kam në shtëpi? Nuk po kërkoj mjek, por po e kërkoj një njeri, ashtu siç thotë edhe Migjeni: “Të lindet një njeri!”. Nuk po kërkoj mjek që ma shëron të sëmuren, por po kërkoj dikë që ma tregon rrugën përmes së cilës duhet ta ndjekë shërimin”.

“Ti, me demek, e paske humbur besimin te ne, a?”, më tha ai.

“As që diskutohet më kjo gjë. Tash po e kuptoj se haptazi mjekimi paska kaluar në biznes. E sëmura ime ka probleme me këmbë, kurse mjekët e dërgojnë te mjeku i mushkërive! Edhe kjo po ndodhka…”, i them unë.
Sokol Murturi/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË