Vala

Të sëmurë mendorë në Prishtinë me rrethinë ka sa të duash, andaj edhe janë, së paku, 1000 pyetje për Prishtinën. Kur do jetë i sigurt kryeqyteti? Kur do jemi të sigurt nga hajnat? Kur nuk do u vidhen çantat nga krahu femrave? Kur do lëvizim pa frikë nga qentë endacakë? Kur…?, shkruan “Kosovarja”.

Prishtina me rrethinë, pa dyshim, ka shumë të sëmurë mendorë. Dhe, një ditë më zuri taksirati edhe mua me një të sëmurë të tillë… Ngjarja ndodhi nën urën e trenit në Vranjevc të Prishtinës, kur një burrë me mjekër të zezë e të papastër, më doli përpara dhe kërkoi prej meje një cigare. Nuk isha duhanxhi, por e gjeta zgjidhjen e shpëtimit: i thashë se do të hyja në shitore t’i blija cigare dhe do të kthehesha t’i jepja jo një, por një pako.

“A vonohesh?”, më pyeti.

“Jo më shumë se pesë minuta”, i thashë.

U pajtua t’më priste teksa tha se sot paskemi mbetur të gjithë pa duhan dhe shante secilin kalimtar që nuk i jepte cigare, shkruan “Kosovarja”.

Kohë më parë, te tregu afër lagjes “Ulpiana”, rrinte një burrë trashallak, i cili pinte birrë kudo që ndodhej. Kur i vinin në kokë rrebet e tij, gurët që i barte me vete i hidhte mbi turmën e njerëzve.
Mirëpo, pas një kohe, me gjasë, kanë reaguar organet dhe e kanë larguar diku apo aty ku është vendi i tyre.

Njëri me mjekër të gjatë dhe këmishë të zezë nga zhylli, i cili fle hyrjeve të banesave në Prishtinë, në rrugët e kryeqytetit e has kudo. Ai shpeshherë edhe i fyen kalimtarët apo edhe flet me zë të lart në kabinat e bankomatit, ndoshta duke menduar se janë telefona…

Kështu, pra, rrugëve të Prishtinës ka shumë pasiguri nga të sëmurët mendorë, pasiguri nga qentë endacakë, pasiguri nga hajnat që hyjnë nëpër shtëpia, pasiguri nëpër stacionet e trafikut urban në Prishtinë që ta vjedhin çantën nga krahu dhe dora, e shumë e shumë të tjera.

E, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, krenohet kur flet për Prishtinën, duke thënë se Prishtina ka gjysmë milioni banorë dhe ka qetësi të plotë. Por, askush prej kandidatëve për kryetar të Prishtinës nuk ka thënë asnjëherë se po e fituan Prishtinën do të pastrohet pasiguria nga të sëmurët mendorë dhe nga qentë endacakë, apo nga burimet e tjera potenciale, e që paraqesin rrezik për qytetarët. Askush nuk thotë se do ta pastrojnë Prishtinën nga hajnat.

Pra, kur do ta kemi një kryeqytet të sigurt, pa të sëmurë mendorë, pa qenë endacakë dhe pa hajna?
Kur do ta kemi një shesh apo shëtitore përgjatë së cilës nuk do të ketë lypës, që në çdo hap shtiren se qajnë?
Kur do ta kemi një shesh, ku nuk do të dëgjosh vaj fëmijësh, pas të cilëve qëndrojnë bandat e ndryshme që i sistemojnë ata të lypin?
Kur do kemi akse semaforësh ku nuk do të ketë gra e fëmijë, e që edhe në temperatura të ftohta, dalin për të kërkuar lëmoshë?
Kur do kemi shtet që do i pastrojë këto pamje të shëmtuara?

Pse i imitojmë evropianët?
Nuk ka qenë adet në Kosovë të fejohen e ç’fejohen femrat e meshkujt sa herë të duan dhe të kalojnë pa asnjë përgjegjësi a obligim ndaj njëri-tjetrit, si dhe familja ndaj familjes.

Kur ndodhnin gjëra të tilla dikur, mblidheshin burrat me muaj të tërë derisa gjenin zgjidhje. Tani fejohen e martohen, ndahen dhe dreqi nuk u bie në fije…

Një shembull që e di: u fejuan djalë e vajzë dhe ishin gati edhe të martoheshin. Djali ishte student e vajza do t’i fillonte studimet. Ditë pas ditësh zihen keq dhe i japin fund fejesës. Asnjëri nuk e kishte pa të arsyeshme ta njoftonin familjen e vet për këtë gjë. Ndodhi si ndodhi dhe, pas dy muajsh të prishjes së tyre, shkon nëna e djalit te familja e nuses, me qëllim që ta sheh nusen se nuk kishte shkuar ajo prej kohësh në shtëpinë e tyre…

E presin mirë në shtëpi, i bëjnë muhabet… Vajza nuk kishte qenë aty dhe të dy zonjat kishin bashkëbiseduar për shumëçka që lidhej me ditën e dasmës dhe ishin dakorduar për anën formale të dasmës. Pas darke vajza kishte ardhur në shtëpi dhe nëna e kishte qortuar për mungesën e saj derisa kishte qenë vjehrra në familjen e tyre. Nëna i kishte thënë se e kishin caktuar përafërsisht ditën e dasmës dhe ajo kishte reaguar ashpër.

“Çfarë dasme nënë?! A më keni pyetur ju mua për ditën e dasmës? A di ti se ne e kemi prishur fejesën qe dy muaj?!”.

Dhe, ky imitim evropian nuk është adekuat për kulturën tonë. Është diçka e keqe që nuk i përngjan Kosovës dhe traditës. Secili bën si do vetë dhe nuk mërzitet për tjetrin se çka do të ndodhë dhe çfarë mund të ndodhë…
Keq, a? Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË