Vala

Ëndrrat janë bunar pa fund… Ishte Milosheviqi që e cungoi Serbinë në kufijtë e Pashallëkut të Beogradit, apo ishte një personazh që erdhi nga bjeshka, si personazhet e Rrushe Rexhës, që tradhtoi burrin për ish – çobanin?

Kur këtë skenar e tëhollon mirë e mirë del se Milosheviqi ishte pro-amerikan. Ai na bëri shtet. E dhembshme e madhe është çmimi i viktimave, sepse edhe ata duhej ta kishin pritur shtetin siç e pritëm ne që jemi gjallë…

Lexoja rubrikën se filan fisteku përgjigjet në pyetjet e shumta. Ndaloj ecjen në një rreze dielli të kësaj vjeshte dhe mendoj se si këta njerëz nuk janë aq shumë larg diktatorëve që kanë bërë krime.

Në një mënyrë jemi edhe ne pjesë e kësaj bote njerëzore, meqë kemi jetuar në kohën e tyre. Njerëzit janë të prirë të mendojnë keq e më keq e jo për gjëra të mira, të bukura.

Askush nuk bën bisedë për diçka të bukur sot, por vetëm për gjëra të këqija. Kjo më befason shumë. A jemi majtistë gjenetikë, apo çka është puna jonë kështu? Edhe ëndërrt nuk i kemi si të njerëzve të tjerë të botës. Edhe mua m’u soll një ëndërr e keqe, por ua lashë në mes të Beogradit dhe i lashë pa tekst.

Më e keqja e kësaj ëndrre ishte se më kishin zgjedhur president. Sikur të isha bile një pozitë më poshtë nuk do e kisha dert, por në pozitën më të lartë…

Bëhem vetë i njëqindti kur mendoj se çfarë përgjegjësie kisha tash. Nuk di nga po fitojnë në peshë politikanët tanë, them me vete. Gjithë kjo përgjegjësi e madhe.

Me siguri, stres, apo jo? Kurbetçarët në Gjermani i thonë shtres… Nuk janë as njëra e as tjetra, them me vete, pra as stresi e as shtresi, por haja e mirë, ndeja e mirë. Por, mua nuk po më ndenjka mirë ky post…

Unë, presidenti i Kosovës

Nejse, t’ua tregoj ëndrrën dhe më pas më thoni a kam vepruar mirë a jo? Ishte arritur marrëveshja Prishtinë-Beograd e duhej të thoshim nga diçka, ne, secili prej politikanëve. Por, ec e fol në Beograd!

Dalin liderët e Serbisë dhe flasin se si është arritur marrëveshja dhe, pos të tjerash, thonë se ishte kusht dhe nuk kishin zgjidhje tjetër. Më vjen rendi edhe mua të them ndonjë fjalë si president i Kosovës dhe, pak si ata e pak si unë, ia kërcas politikës… Pastaj, vjen koha për pyetje. Më pyet një gazetar serb:

“Ju, shqiptarët, a jeni spiunë të Amerikës?”.

Ma dha Zoti dhe ia ktheva:

“A ka qenë Milosheviqi spiun i Amerikës? Dhe, këtë ju duhet ta dini më së miri, në bazë të praktikës që ka ndodhur në Serbi. Ose, ishte dashur të vinte një lider budalla si ai… Ai u ka futur në baltë e ju nuk e keni ditur një gjë të tillë derisa keni sharruar mirë e mirë, pastaj e keni dëbuar nga pallati presidencial për ta nisur për në Hagë.

Dhe, të kthehemi në kohë: Së pari, nisi t’i mbyllë fabrikat në Kosovë dhe t’i largojë njerëzit nga puna për politikë. U tha juve se me largimin e shqiptarëve nga puna serbëve do ua rrisë rrogat në 2000 marka gjermane në muaj… Dhe, ju i besuat!

Pastaj, tërë bota e qytetëruar i tha mos e prekë Kosovën, kurse ai vriste çdo ditë shqiptarë… Tutje, në mesin e asaj arrogance dhe okupimi klasik erdhi Rambuje, në të cilën Milosheviqin e luti bota ta nënshkruante marrëveshjen e tërheqjes së forcave kriminale nga Kosova.

Ai e refuzoi një gjë të tillë dhe kështu e humbi Kosovën përgjithmonë. Andaj, ua them një të vërtetë të madhe: Milosheviqi e bëri shtet Kosovën…
Tash shtrohet pyetja: A ka qenë ai spiun i Amerikës? Edhe nëse nuk ka qenë ka punuar për ta, ndoshta edhe pa vetëdije”.

Të gjithë mbetën gojëhapur dhe zë nuk u dilte nga goja. Ata heshtin e unë, them me vete, ua lëshova…

Sokol Murturi (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË