Vala

Misioni i djaloshit nga Kosova me një rekord ndjekësish në rrjetet sociale, për të qenë pjesë e botës së modelingut ndërkombëtar

Kur nisi të shihte ndryshimin e madh në format e trupit të tij, teksa muskujt merrnin formë, vijëzimet e pjesës së barkut po bëheshin akoma më të dukshme, orët në palestër po ktheheshin në një qëllim për Arbanin. Ishte ende katërmbëdhjetë vjeç, kur ju dedikua fitnesit, duke e kthyer dalëngadalë në një qëllim, në një mision të madh, për të qenë në të ardhmen një model në botën e fitnesit. “Unë që kur kam qenë i vogël gjithmonë jam kujdesur që të mos shëndoshem dhe merresha me sporte të ndryshme. E kam filluar palestrën që në moshën 14 vjeçare”- rrëfen për Bordo, modeli i fitnesit Arban Dili, transmeton Bordo.al.

Ndoshta i është dashur të lërë pas dore lodrat e fëmijërisë, e më pas të adoleshencës, duke imagjinuar aspak të njëjtët idhuj që mund të kenë patur moshatarët e tij. Por, asgjë nuk e ka ndalur në rrugëtimin e tij drejt krijimit të një trupi të përsosur. “Kam pasur shumë idhuj që më kanë frymëzuar si dhe më kanë mbajtur të motivuar, por më shumë janë njerëzit që më përkrahin gjatë gjithë kohës”-pohon Dili.

Edhe pse trupi i tij ka dimensionet e vërteta të një modeli profesionist fitnesi, duket se asgjë nuk e ndal, sepse siç shprehet, ende vazhdon të punojë për të arritur atë qëllim që i ka vendosur vetes. Sepse ndryshe nga ata që e kanë kthyer këtë në sport, në një mision vetëm për të patur muskuj, për Arbanin dhe misionin e të qenit model, ka gjithmonë ca rregulla ndryshe nga të tjerët. Sepse ky profesion, kërkon mbajtjen e një disipline, ndaj koha që kalon në palestër është gjithmonë rigoroze. Ai duhet të fokusohet tek ato pjesë të trupit, që kanë më shumë nevojë për ushtrime, pa lënë pas dore të tjerat. “Koha që kaloj në palestër ndryshon nga stina; zakonisht gjatë periudhës së dimrit kaloj rreth 1 orë duke u stërvitur, ndërsa gjatë verës, koha që ushtrohem zgjat edhe deri në dy orë, por kjo varet nga cila pjesë e trupit duhet të ushtrohem”. Thekson fort se ushqimi ka shumë rëndësi tek ai për të mbajtur trupin në formë dhe për të pasur rezultate më të mira, ndaj edhe është tej mase i kujdesshëm në zgjedhjet që bën.

Por, kur fitnesi kthehet në një mision madhor, siç është ai i një modeli, nuk e mohon se për të qenë sa më shumë pjesë e kësaj bote, përdor tej mase rrjetet sociale. Ideali, ai që edhe ekspozon çdo milimetër të trupit të tij është padyshim Instagrami, ku aktualisht ka rreth 200 mijë ndjekës. “Puna që bëj me trupin si model fitnesi më ka ndihmuar mjaft për famën në rrjetet sociale’- pohon Arbani.

Tani duket se ka arritur shumë: është në nivelin e duhur për një trup modeli fitnesi, ndaj edhe punon fort për të ruajtur të njëjtin volum, sepse nuk i dihet, çdo moment një ofertë mund t’i trokasë në derë. “Ëndrra ime në këtë profesion është që të hyj në industrinë e fitnesit dhe të bashkohem me yjet e këtij sporti”- përfundon Arban Dili, i cili deri tani ka arritur të jetë pjesë e disa mediave si dhe ka realizuar sesione fotografish.

MUND TË JU PËLQEJNË