Vala

Derisa pi kafe në rrugën “Vellusha” në Prishtinë, vjen një grua bukur në moshë, shtrin dorën dhe kërkon 10 centë.
“10 centë, ju lutem! Vetëm 10!”.

I kisha dy euro nga një. Ia jap njërën dhe ajo pasi më falënderon vazhdon tutje…

“10 centë, ju lutem, vetëm 10!”, refren ky i përditshëm. Nuk di nga është lypësja, por e shoh shpesh në kafene të ndryshme të Prishtinës.

Ndoshta është nga Llapi, sepse ashtu më duket e folmja e saj…

Ndërkohë, vjen edhe një femër tjetër me fëmijë në krah. Nga pamja shihet qartë se është nga Shqipëria, nga atje ku Migjeni mori TBC-në nga refrenet e tillë. Kërkon para, por nuk shoh se i jep kush…

Pas pak vjen një lypsar kosovar, por me stil ndryshe. Shpeshherë të njëjtin e shoh edhe në semaforë dhe teksa u lypë para femrave shofere, nëpërmjet xhamit të hapur ua prek herë-herë edhe flokët…

Afrohet afër meje dhe sikur më njeh që moti, më prek me gishta në faqe dhe më thotë:

“M’i jep 50 centë, menjëherë!”.

Dhe, dikush i jep para nga frika, dikush nga mëshira…

“Ja, merri dhe shko!”, i thotë njëra.

Kryesisht, nga frika i japin para femrat, sidomos vajzat e reja, sepse ai di edhe t’i maltretojë: i prekë në trup, në faqe, në flokë…

Ky është lypësi më modern i Prishtinës. E ka gjetur mënyrën si të fitojë, sidomos nga vajzat e reja…
Keq, pra, them me vete: derisa pi makiato 3-4 lypës të sillen përreth dhe s’ke si të pish kafe rehat…
Ndalem dhe mendohem: njeriu nuk e shtrinë dorën bash kollaj, por nga gazepi… pa i ardhur shpirti në maje të hundës…

E, deri kur kështu?!

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË