Vala

Lidershpi shqiptar i Kosovës, pozitë dhe opozitë, duhet unifikuar qëndrimin për një platformë të përbashkët të bisedimeve me Serbinë. Kjo ka rëndësi për faktin e mbrojtjes më të fuqishme të Kosovës, si shtet me identitetin shtetëror në flamur, që buron nga data 17 shkurt 2008, kur edhe u shpallë pavarësia e Kosovës dhe që u njohë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Një platformë e përbashkët e spektrit politik shqiptar të Republikës së Kosovës, paraqet realitetin e shtetit tonë, të njohur nga më shumë se 110 shtete të botës.

Qëndrimet e ndara të lidershipit kosovar lidhur me bisedimet me Serbinë, u japin më shumë kurajo palëve antishqiptare për ndarjen e Kosovës dhe rreziqet pas ndarjes,shkruan Kosovarja

Opinionet në Kosovë e Serbi janë kontroverse, sa i përket ndarjes së Kosovës, sepse me ndarjen pasojnë edhe rreziqet e hapjes së kutisë së Pandorës në Ballkan! Serbët e Kosovës dhe ata të Serbisë, kryesisht, janë kundër ndarjes, e, gjithashtu, edhe shqiptarët e Kosovës, shumica e kundërshtojnë këtë ide të rrezikshme, e që mund ta vë në pikëpyetje ekzistencën e Kosovës si shtet.

Është momenti vendimtar që liderët shqiptarë të flasin me një emër, duke u rreshtuar rreth një platforme politike, e që nuk lejon ndarjen e Kosovës.

Bisedimet në Bruksel duhet të vazhdojnë pa kushte, sepse nëse do të duhej vënë kushte dialogut, Kosova ka shumë të drejtë të kërkojë:

Të mos vazhdohen bisedimet pa gjetjen e të zhdukurve shqiptarë nga viti 1999;

Të mos bisedohet me Serbinë pa i hequr masat kufitare ndaj transporteve të Kosovës në territorin e Serbisë, në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të Marrëveshjes së CEFTA-s;

Të mos bisedohet me Serbinë pa i hequr Serbia obstruksionet në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës në Interpol dhe UNESCO dhe në proceset tjera të shtetbërjes. /Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË