Kur rrimë në ndeja dëgjojmë kah thotë shumëkush se kanë ndërruar kohët. Ka qenë më mirë, e u bë më keq… Kur e thonë këtë të vjetrit, e që kanë kaluar përvoja me Serbinë, mund të merret si konstatim me vend, por kur e dëgjon njeriu një 17-18 vjeçar, duke thënë se është bërë vështirë se ka ndryshuar koha, kjo të vë në siklet! Edhe këngëtarët e rinj, sidomos femrat, flasin televizione, portale e gazeta dhe ankohen se mbaruan nga mungesa e kohës, shkruan “Kosovarja”.

Më pyeti një ditë një mik imi pse, sipas tij, kisha humbur prej kohësh. I thashë:

“Miku im, kohë nuk po kam”.

“Dashtë Zoti të kesh para, bile, me punën që bën”, ma ktheu ai.

“Më shumë jam në zor për kohë se për para, se para kam, por koha nuk po më del të takohem me askënd!”, ia ktheva.
Por, kush, a thua, i ndërron kohët? Dikush thotë stinët, dikush Kurani, dikush Bibla, dikush kështu e dikush ashtu…

E, kush i ndërron kohët u them unë: politikanët! E di bota se Milosheviqi e shkatërroi Jugosllavinë. Në atë kohë Shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë quhej

“Vuk Karaxhiç”. Vuku ishte shkrimtar serb, madje përpilues i abetares serbe, e mbiemri Karaxhiç lidhet edhe me kriminelin serb në Bosnjë e Hercegovinë, Radovan Karaxhiçin. Pastaj, Shkolla fillore “Gjergj Fishta”, po ashtu, në Prishtinë, është quajtur

“Branisllav Nushiq”. Edhe ai shkrimtar. Shkolla fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, është quajtur

“Vladimir Nazor”, ndërsa Gjimnazi i Prishtinës

“Sami Frashëri” quhej “Ivo Lola Ribar” etj.
Krejt këta emra i ka ndërruar politika dhe politikanët. Pra, i ka bërë ndryshimi i kohës, si produkt i rrëzimit nga froni i Milosheviqit.

Për të dëshmuar edhe më mirë se si politikanët e ndërrojnë kohën, një rrugë në Prishtinë, te “Sahat Kulla”, ka pasur disa emra, varësisht nga ndërrimet politike dhe politikanët. Rruga që tash quhet “Ali Hadri” dikur quhej “Boro Vukmiroviq”, më vonë

“Zef Lush Marku”, pastaj “Boro Kozarac”!
Sot, teksa i shkruaj këta rreshta, në memorien time shpalos “valixhen e letrave” për të kaluarën. Sa e sa kartolina duhet të rishikoheshin për ta kuptuar historikun e ndërrimit të kohëve… Sa e sa letra mbajnë të dhëna e histori nga koha kur ishte primare të shkruhej mirë dhe pa gabime. Të shkruhej me ndjenja e humor të pranueshëm. Sa e sa panorama me pamje të veçanta të qyteteve rrinë të palosura në

“valixhen e letrave” të mia, shkruan “Kosovarja”.
Të gjitha ato pamje të panoramave tani janë rrënuar dhe matrapazët e kanë tjetërsuar qytetin e strukturës me vlera arkitektonike, përfshirë edhe një xhami të vjetër më se 500 vjet. Merreni me mend: pesë shekuj! Një ndërtim i tillë, në vend se të shpallej objekt i mbrojtur, ai është rrënuar, sepse zyrtarët e monumenteve dhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë nuk kanë haber se ç’janë vlerat dhe pse duhet ruajtur.

Në mend më vijnë edhe letrat e shumta nga ushtria: përshëndetjet dhe të falat… Dhe, meqë përmenda ushtrinë, kam dëshirë që çdo të ri ta dërgoja në ushtri, sepse vetëm me disiplinë edhe hajni bëhet burrë, rrugaçi zot shtëpie…

Pra, unë, po të isha dikush që e ndryshon kohën, do ta dërgoja rininë në ushtri, sepse me disiplinë bëhen njerëz të vlefshëm për veten dhe shoqërinë. Të bien në gjumë kur është koha e jo para mëngjesit, siç bëjnë shumica e të rinjve tanë. Pastaj, të mësohen të respektojnë dhe nderojnë më të moshuarit, e jo si tash që nuk kanë respekt për askënd!

Dhe, në një kartolinë, e që e gjeta kohë më parë në dollapin tim të vjetërsirave, shkruante: “Të përshëndes nga Sarajeva, ku edhe ndodhem në shërbim ushtarak. Po mërzitem, sepse jeta ushtarake qenka e rëndë, i paska rregullat e veta… Ti ende nuk ke shkuar ushtar, por pasi të vish do të bindesh se më nuk do t’i thuash kurrë jo babait, as nënës, madje askujt në familje, sepse këtu duhet dëgjuar atë që jep urdhra”.

E, çka tash? Lëre më të rinjtë, por as politikanët nuk janë të përgjegjshëm! Prandaj, kur nuk është i zoti i shtëpisë në rregull, si mund të kërkosh nga anëtarët e familjes të kenë përgjegjësi?

Thaçi për pak të na fusë në baltë!

E kam fjalën për transformimin e FSK-së në ushtri, propozim që erdhi nga Hashim Thaçi, i pari i shtetit.

Ta bëjmë ushtrinë patjetër, thoshte ai, ndërkohë që Amerika dhe NATO thoshin të kundërtën. Kur dëgjoja presidentin kah flet për ushtrinë, i thosha vetes: “Ky njeri di diçka! Ky është marr vesh me Amerikën. Duhet ta bëjmë ushtrinë dhe pikë”.
Por, kur e dëgjoja Amerikën duke e kundërshtuar mënyrën e formimit të kësaj ushtrie, i thosha vetes:

“Ku mund ta marrësh si të vërtetë fjalën e Trampit sot?! Ec e lidhu për të?! I shkruan letër Thaçit, por i shkruan edhe Vuçiçit! E lavdëron Thaçin, por edhe Vuçiçin! E lavdëron edhe Putinin e Rusinë! Prandaj, ec e besoji çka po ndodhë me Amerikën?! Mund t’i besoja Obamës a Hilari Klintonit, por jo edhe Trampit”.

E, kur e dëgjoja edhe “hijen” e Hashim Thaçit, Bekim Qollakun, thosha: “Këta kanë bërë marrëveshje pas shpine me Amerikën! Por, Amerika me Trampin në krye nuk është më ajo Amerika e dikurshme…”.
Pra, me formimin e ushtrisë sonë e bëmë një lloj historie. Por, histori ka bërë edhe Nastradin Hoxha. Nastradini po lëronte arën. Fqinji i tha:

“Nastradin bej, të gjithë i mashtrove, por mua kurrë!”.

“Lëri këto fjalë, por të hamë drekë, së pari, e pastaj flasim”, i tha Nastradini.
Nastadini e kishte lidhur lepurin dhe e mori në dorë. I tha lepurit: “Shko dhe thuaji zonjës së shtëpisë le të sjell lepur të pjekur, kajmak dhe shurup!”. Por, këto i kishte porositur Nastradini para se të vinte në arë dhe e lëshoi lepurin.

Dhe, pas pak nuk vonoi e gruaja i solli në arë të gjitha që ishin marrë vesh t’i vinin për drekë…
Fqinji e luti Nastradinin t’ia shiste lepurin, se qenka i mençur. Nastradini e kundërshtoi. Por, fqinji në fund këmbënguli dhe Nastradini ia shiti për një shumë parash sa katër kuaj vlerë! E mori fqinji lepurin, pastaj shkoi në qytet dhe bleu mushkëri. Më pas, doli në gjah e i tha lepurit: “Merr këto mushkëri dhe qoja gruas dhe thuaj t’i përgatis për drekë!”. E lëshoi lepurin dhe priti që gruaja t’ia sillte drekën në mal, ku edhe ndodhej për gjah. Por, kot… Kur shkoi në shtëpi e qortoi gruan.

“Pse nuk m’i solle mushkëritë?!”, i tha ai.

“Cilat mushkëri, o njeri?! Qenke çmendur, ore!”

Burri e kuptoi hilen e Nastradinit dhe i vajti në shtëpi. Me të hapur derën, Nastradini e kishte kapur gruan për flokësh dhe i kishte vënë thikën në fyt. E kishin kurdisur situatën ashtu që burri që erdhi, duke parë se Nastradini ishte çmendur, as që pat kohë ta përmendte lepurin.

Nastradini e gërvishti gruan dhe asaj i doli gjaku. Ajo u bë sikur do vdes. Në atë moment Nastradini mori fyellin dhe nisi t’i bjerë, kurse pas pak gruaja nisi të lëvizë. Nastradini i tha burrit se fyelli është magjik dhe sa herë do gruan edhe e ngjallë.

“A ma shet, pra, fyellin, o Nastradin, se gruaja më çmendi!”, i tha fqinji.
Nastradini ia shiti fyellin. Burri me të ardhur në shtëpi u grindë me grua dhe ia hoqi kokën dhe e mori fyellin ta rikthejë në jetë. Kur pa se nuk ishte punë ringjalljeje, i tha vetes: “Meqë nuk po ringjallet menjëherë, po ia lë kohës”.
Pas do ditësh takon Nastradinin dhe i thotë:

“E di hilen tënde, por ia kam lënë kohës!”.
“Mirë ke bërë, sepse edhe unë ia kam lënë kohës!”, shkruan “Kosovarja”.

Por, edhe koha e ka një kohë… Një fshatar kishte shkuar te hoxha për të kërkuar një sqarim. Hyn brenda në faltoren e tij dhe ulet. Hoxha në ato çaste po hante përshesh.

“Fol se po të dëgjoj”, i thotë dhe nuk e ndërkrente dot përsheshin…
Ai nisi t’i tregonte për hallin që kishte…

“Hoxhë efendi, unë sapo e kam tubuar grurin dhe për sivjet kam bukë për nëntë muaj. Desha t’më këshillosh se ku ta marr bukën edhe për tre muaj të tjerë?”.

Në çast, hoxha nisi t’i shpejtonte lugët, zu të hante më shpejt…

“Fol ti, fol…”, i tha hoxha fshatarit dhe e mbushte lugën sa mundte me përshesh…
Dhe, kur e hëngri përsheshin, hoxha i tha: “Eh, more jaran, unë ngutesha që ta haja sa më shpejt përsheshin, se frikësohesha mos ma merr Zoti shpirtin e më mbetët përsheshi pa e hëngër, kurse ti mendon se çka do të ndodhë pas një viti!”.
Atëherë, fshatari ngrihet në këmbë dhe i thotë:
“Ditën e mirë, hoxhë efendi!”.

“Rri, ku shkon o burrë?”, i tha hoxha.

“Çka të flas tjetër kur ti nuk i beson as dakikut, ma?!”.

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË