Vala

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se ndotja e ajrit në Prishtinë e Gjilan sonte është e lartë.

“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes së shkallës së mortalitetit”, thuhet në komunikatë.

Në mesin e shumë faktorëve, sipas IKSHPK-së, burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet dhe përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit.

Instituti rekomandon që të implementohet plani i veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe të bëhet implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.

“Inspektorati Shëndetësor të kontrollojë raportimin ditor të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare, nga të gjitha institucionet shëndetësore të kujdesit parësor, dytësor dhe tretësor (veçanërisht QKMF Prishtinë dhe Klinika Emergjente, SHSKUK)”, thotë IKSHPK.

Edhe në matjet e kryera nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, del se sonte në Prishtinë ka ajër jo të shëndetshëm, ku ndotja e ajrit ka arritur në shifrën 114.

Qyteti shqiptar me ndotjen më të madhe është Tetova, që sonte ka arritur në 132, raporton KP.

MUND TË JU PËLQEJNË