Vala

Dikur në Kllokot as që guxonte kush ta përmendte emrin Shqipëri nga regjimi i kohës. E, sot në Kllokot këndojnë edhe këngëtare nga Shqipëria…

Nuk e kisha parë kaherë këngëtaren që e adhuroj, por që është nga Shqipëria.

Pak a shumë e kisha harruar si dukej, por ajo që më kishte mbetur në kujtesë ishin këngët e saj. Ajtene Dërguti, këngëtare pak e njohur nga emri, krahasuar me kualitetin e saj kur këndon në skenë. E kujtoja më shumë nga momentet kur e kallte skenën muzikore dhe më kishte marrë malli ta dëgjoja sërish.

Dolëm me gruan të dëgjonim pak muzikë “live”, por na zuri mëngjesi! Dhe, ia vlejti nata kur takuam Ajtenen. Megjithatë, tema nis shumë më përpara…

E nisim nga Kllokoti, vend afër Banjës së Vjetër, që njihej si banja shtetërore.

Kllokoti dikur ishte një çerdhe e zinxhirit serb të pasluftës së Dytë Botërore, bashkë me serbët që ishin futur mes shqiptarëve nga Radivojci i dikurshëm, Livoçi, Budriga, Parteshi agresiv e deri në Gjilan. Në një kafene te aksi rrugor që lidh Vitinë me Kllokotin, ishin disa këngëtare të ardhura nga Shqipëria.

“Ulemi të dëgjojmë pak muzikë”, i them gruas kur shoh se aty ndodheshin disa këngëtare.

“Edhe pse kohë krize, këngëtare me bollëk”, i them gruas në vesh, sepse zëri i madh i këngëtares nuk lë hapësirë për të folur ndërmjet veti.

“Çfarë krize, o njeri? A i sheh sa të bukura qenkan?! A nuk po i sheh sa të cullakuara qenkan?!”.

Qeshim pak dhe vazhdojmë të dëgjojmë muzikë… Por, as këtu nuk e kisha temën e këtij shkrimi. Tri ngjarje e përbëjnë temën që ia vlen të kujtohet…

Ngjarja e parë

Në vitin 1989, teksa kaloja me veturë nëpër Kllokot, më ndalën policia e asaj kohe.

“Ku shkon ti?”, më pyeti njëri prej tyre, pasi m’u ofrua te dritarja e veturës.

Ishte ora 20 e mbrëmjes dhe u thashë se po shkoja në Gjilan.

“Pse po shkon në këtë kohë?”, më pyeti tjetri.
“Jam qytetar i lirë dhe shkoj për aventura”, u thashë.

“Ti nuk e paske syrin e aventurave”, më tha i treti dhe më urdhëroi të dilja nga vetura.

Pas dola nga vetura më mbështetën për veture dhe filluan t’më kontrollojnë. E, teksa e kujtoj atë moment, them me vete se po të kishte qenë me mua edhe gruaja, me siguri, do ia fusnin edhe asaj duart nëpër trup…
Dhe, në atë moment më erdhi të qeshja.

“Pse qesh?”, më pyeti gruaja.

“Do t’i fusnin duart policia serbe edhe ty nëpër trup po të kishe qenë me mua më 1989, po në këtë vend që jemi, e tash po kënaqemi me muzikë të këngëtareve nga Shqipëria!”.

Tutje, njëri polic, e që dukej plotësisht i dehur, më tha:

“Unë të njoh ty në bazë të emrit në letërnjoftim. Por, që të jemi të sigurt po e verifikojmë nëpërmjet qendrës”.

Dhe, teksa po prisja i mbështetur për veture, i bëra pyetje vetes: “A nuk kishe çka t’u thoshe tjetër pos që po shkoja në Gjilan për aventura, a?! Hej gojë, çka fole!”.

Pastaj, m’u kujtua në shpejtësi se si një i uritur, e që kishte shkuar mysafir, kur i kishin thënë: “Eja ulu në sofër!”, ai, duke menduar se i zoti i shtëpisë do ta luste pafundësisht, i thotë: “Jo, sepse kam ngrënë”. Por, kur erdhi pitja në sofër, mysafiri i tha gojës: “U thafsh oj gojë, po pse fole?!”.
Pas disa minutash m’i sollën dokumentet dhe më thanë:

“Ik nga këtu dhe mos u paraqit këndej pari se këtu është Serbi!”.

E, sonte ja ku jam, në Kllokot, në restorantin që këndojnë vetëm këngëtare nga Shqipëria.

Ngjarja e dytë

Ngjarja e dytë ndodhi më 1994. Isha kthyer nga Gjermania dhe Austria, ku i kisha kryer disa punë politike në klubet shqiptare.

Shkova ta vizitoja motrën, së cilës vite më parë i kishte vdekur burri dhe e kishte lënë me dy fëmijë të vegjël. Nuk kishte grim në fytyrë, nuk ishte e veshur mirë, jo se nuk kishte, por ishte e demoralizuar nga vdekja e burrit.

U përqafuam përmallshëm si vëllai me motrën. Nuk kisha fuqi t’i thosha asgjë, madje as ta ngushëlloja…

Isha i preokupuar me gjendjen e saj si në kohën e Konstandinit dhe Gerantinës, kur motra mallkonte vëllanë pse nuk e kishte mbajtur besën të shkonte ta merrte në gjini. Konstandini kishte vdekur nga mortaja, kurse e motra nuk e dinte.
Nëna kishte mbetur vetëm dhe fliste me qyqen, e cila vajtonte mbi degën e tharë të lisit në oborr.

Kur nëna e kishte përmendur emrin e të birit të vdekur, ai ishte ngritur nga varri dhe ishte nisur të shkonte te Gerantina. Rrugës për te motra dy zogj mbi një degë druri i thonë njëri-tjetrit:

“A e sheh si ec i vdekuri mbi kalë!”.

Nuk dija, në fakt, a më kishte pyetur motra se a doja kafe a jo, sepse isha tretur me ngjarjen e Konstandinit e Gerantinës.

Por, e di se i bëra pyetje vetes pse ajo nuk kishte grim në fytyrë, e fytyra e saj dukej e vyshkur…

“Kemi dasmë në familje, ndaj edhe erdha të të marrë. Vishu bukur që të dukesh më e mira… E di se ç’fëmijëri të lumtur kemi pasur?

Kemi vrapuar pas fluturave shumëngjyrëshe”, i thashë, teksa shikoja fytyrën e saj të vyshkur.

Ajo e dinte se dasmat kishin përfunduar për të, buzëqeshjet i ishin harxhuar nga buzët…

Dhe, i zhgënjyer me atë që pash te motra, u nisa për në Prishtinë. Ndërmjet Kllokotit e Vitisë më ndalën policia serbe. E ndala pak si më larg tyre… Pa një e pa dy njëri prej tyre shau serbisht që nuk ua ndala para këmbëve të tyre… Ai nuk e dinte mërzinë time…

“Vonë u pash dhe nuk duhet të zini pozitë në kthesë, ku nuk ka pamje të mjaftueshme”, fola sa për të thënë diçka.

“Ti na mëson ku të rrimë ne, a?!”, më tha njëri prej tyre me plot ironi.

“Po mendon se këtu je në Shqipëri, a?!”, ndërhyri tjetri, i cili veç bëhej gati t’më mëshonte.

Ngjarja e tretë

Ngjarjes së tretë po i bie pak më shkurt. Pranë një shitoreje që nuk kishte më shumë se 300 metra poshtë aksit rrugor të

Kllokotit në drejtim të Vitisë, në vitin 1996, disa serbë e rrihnin një shqiptar para shitores së tij.

Nuk di sot a janë ata serbë aty apo jo…
Sidoqoftë, koha i ka ndryshuar gjërat: Tash në mes të

Kllokotit frymon motel “Kalaja” dhe shumë biznese të tjera me shqiptarë. Shqipëria në Kosovë dhe Kosova në Shqipëri. Kjo është ëndrra që e kishin shqiptarët…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË