Vala

Tashmë janë bërë dy muaj që kur Drejtoria e Kulturës dhe ajo Kadastrit po funksionojnë pa drejtorë, pasi kryetari i kësaj komune Shpend Ahmeti, kishte shkarkuar nga këto pozita ish-drejtorët komunalë, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Shkuarja e Shpend Ahmetit me ekipin negociator për bisedime në Bruksel me palën serbe, duket se po shkakton probleme të shumta në Komunën e Prishtinës. Të paktën kështu thonë nga opozita në këtë komunë.

Ata po e cilësojnë si papërgjegjësi mosemërimin e drejtorëve të rinj nga Shpend Ahmeti, të cilin e kanë akuzuar se po merret me çështje të politikës qendrore dhe po e dëmton Komunën e Prishtinës.

Lajmi.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga komuna lidhur me këtë çështje, por nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.

Agim Gashi, asambleist në Komunën e Prishtinës, nga radhët e LDK-së ka thënë për lajmi.net se kryetari Shpend Ahmeti, punët e komunës i ka shndërruar në punë sekondare, duke shtuar se tashmë po merret në mënyrë inkompetente me çështje të politikes qendrore.

“Kryetari i komunës, punët e komunës i ka shndërruar në punë sekondare dhe tashmë po merret në mënyre inkompetente, jo kompetente me çështje të politikave qendrore. Prandaj ai do të vazhdoj edhe më tutje të mos ketë drejtor të emëruar, ashtu siç ka ndodhur edhe më herët në drejtori të arsimit dhe drejtorit e tjera, ku me muaj të tërë drejtorit kanë qenë pa drejtorë. Kjo është papërgjegjësi e tij dhe qeverisje e skajshme”, ka thënë Gashi

Edhe asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka akuzuar kryetarin Ahmeti për neglizhencë të punëve në komunë.

Ai ka thënë se emërimi i drejtorëve po zvarritet për shkak se, si thot ai, tashmë pazaret vetëm sa po shkojnë duke u rritur, pasi sipas tij grupet e interesave po kërkojnë më shumë pozita, më shumë ndarje të pasurisë së komunës.

“Ashtu qysh edhe kemi paralajmëruar që tashmë pazaret vetëm sa po vijnë duke u rritur, për shkak se nuk e ka shumicën dhe ka me pasur shumë vështirë, për shkak se grupet e interesave po kërkojnë më shumë pozita, më shumë ndarje të pasurisë së komunës, në një farë mënyre edhe besoj që është problem, pasi nuk munden me u marr vesh me i nda aq shumë sa kanë nevojë njëri me tjetrin”, ka thënë ai.

Rrahmani po ashtu ka thënë se që nga dita kur Ahmeti ka shkuar me ekipin negociator nuk është duke funksionuar thuajse asgjë në Komunën e Prishtinës.

‘’Edhe më e keqja është se po e pësojnë qytetarët e Prishtinës dhe nuk po funksionojnë ato drejtori që janë pa drejtorë janë vërejtur menjëherë shumë ngecje sidomos ka qenë rasti të drejtoria e Kulturës ku Prishtina ka mbetur pa ndriçimi, d.m.th një javë para viti të ri. E njëjta ka qenë edhe me Kadastër ku raportet e të hyrave kanë pësuar një rënie drastike në këtë drejtori. Po mënojë kjo është gjendje, përveç këtyre drejtorive që janë pa drejtori nuk është gjendja më e mirë edhe në drejtorit tjera, ka informata që aty janë përzier edhe drejtorët që kanë qenë nuk janë duke i kryer punët, një pjesë e tyre nuk janë duke shkuar në punë hiq. Prej se ka shkuar edhe me ekipin negociator nuk është duke funksionuar thuajse asgjë në Komunën e Prishtinës”, ka thënë Rrahmani.

Ndërsa, Migjen Shala, asambleist nga radhët e PDK-së ka thënë se në komunë ka shumë parregullsi, që sipas tij nuk është vetëm emërimi i këtyre drejtorëve.

Ai ka akuzuar kryetarin Shpend Ahmetin se nuk ka thirrur seancë që 30 ditë dhe se siç thotë ai, po ju ikë seancave.

“Kjo nuk është e mirë, qëndrimi ynë është kundër kësaj që po ndodh në komunë, ka shumë parregullsi nuk është vetëm emërimi i këtyre drejtorëve. Mirëpo të shohim më kohën. Ai seancë nuk ka thirrur, d.m.th që 30 ditë nuk kemi mbajtur seancë, po ju ik edhe seancave, kryetari i komunës nuk po prezanton seanca, po e kemi problem edhe pyetjet përgjigje të marrim nga ai lidhur me këtë, është duke zvarritur. Ne jemi kundër këtyre zvarritjeve. Sigurisht që mundet me ndodh me ndiku, mirëpo të shohim në të ardhmen si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Shala.

Kujtojmë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dy muaj me parë kishte shkarkuar dy drejtorë të Vetëvendosjes në këtë komunë, drejtorin e shëndetësisë, Arben Vitinë dhe Nora Kelmendin nga Drejtoria e Kadastrit.

Ndërkaq pas këtyre shkarkimeve edhe drejtori i Kulturës, Yll Rugova kishte ofruar dorëheqjen.

Muajin e kaluar, Ahmeti ka emëruar drejtorin e ri të Shëndetësisë, Bujar Gashin, ndërsa drejtoria e Kadastrit dhe ajo e Kulturës vazhdojnë të funksionojnë pa drejtorë. E.I

MUND TË JU PËLQEJNË