Vala

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka përkujtuar Kadri Zekën dhe vëllezërit Isuf e Bardhosh Gërvalla me rastin e 37-vjetorit të vrasjes së tyre.

Ai ka thënë se Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin intelektualë që me vizionin politik dhe dashurinë ndaj atdheut arritën ta organizojnë dhe unifikojnë diasporën shqiptare për të nisur lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

Megjithatë Hasani e ka quajtur të turpshme për Komunën e Gjilanit që ende nuk ka arritur që t’ia bëjë një shtatore heroit Kadri Zeka.

“Sot u bënë 37 vjet nga vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Isuf e Bardhosh Gërvalla. Ata ranë si veprimtarë të një ideali dhe përpjekjeve të pareshtura për liri, duke dhënë kontribut të shquar në rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin intelektual që me punën e tyre, vizionin politik, dashurinë ndaj atdheut arritën ta organizojnë dhe unifikojnë diasporën shqiptare për të nisur lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës”.

“37 vjet më pas Komuna e Gjilanit e nderon figurën e Kadri Zekës vetëm me një manifestim të përvitshëm. Nuk mjafton as vënia e emrit të tij universitetit të këtij qyteti. Në nderim të tij Komuna e Gjilanit dhe Kamenicës do të duhej të bënin më shumë. Atij duhet t’i ngritët një përmendore. Për mua personalisht është e turpshme. Konsideroj se është e turpshme që komuna nuk i ka ngritur një shtatore atdhetarit të madh të rajonit të Gjilanit. Andaj i bëj thirrje Kuvendit Komunal, kryetarit të Komunës dhe të gjithë qytetarëve që të punojmë dhe ta nderojmë Kadri Zekën ashtu siç e meriton, ashtu siç e nderoi rajonin tonë dhe gjithë Kosovën. Kadri Zeka do të mbetet gjithmonë njëra prej figurave më të ndritura që ka dhënë ky rajon”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Loading...

MUND TË JU PËLQEJNË