Vala

Propaganda e Beogradit për kinse përgatitje të aksioneve të policisë speciale të Kosovës në veri, është lojë e Serbisë, shkruan “Kosovarja”.

Lansimet e tilla në opinion vendor e ndërkombëtar, kanë për qëllim degradimin e pavarësisë së Kosovës, për çka është vënë në shërbim një makineri e tërë e Beogradit që lobon kundër Kosovës.

Edhe insistimi i madh i presidentit të Serbisë, Vuçiçit, që bisedimet me Kosovën të vazhdojnë menjëherë pas heqjes së taksës, s’është asgjë më shumë sesa propagandë.

Vuçiçit po del t’i ketë shërbyer shumë vendosja e taksës për të kërkuar armiqësimin e Kosovës me aleatët e saj më të rëndësishëm.

Tash, siç shihet, Vuçiçit i ka dalë si pengesë edhe miratimi i draft-marrëveshjes së bisedimeve finale të Kosovës, me çka ai po deklarohet se bisedimet edhe po qe se pezullohet taksa mund të mos fillojnë fare!

Kjo taktikë e Vuçiçit po shihet si një dinakëri për të blerë kohë në favor të Serbisë, sepse koha shkon në dobi të Beogradit. Ata kanë arritur të hapin disa kapituj për në BE dhe kanë kohë për të njohur Kosovën, të paktën, edhe dhjetë vjet.

Serbia, aktualisht, do që taksa të mbetet në fuqi, pasi në tregun e Kosovës sërish e ka mallin që e kishte më parë, ndërsa në rrugën diplomatike rreth Kosovës ka mundësi të ankohet se Prishtina nuk është për bisedime…

Andaj, Qeveria Haradinaj ka mundësi t’ia lë në dorë “pataten e nxehtë” Vuçiçit, duke ia shpalosur fytyrën e vërtetë para Perëndimit.

Deshifruar më saktë, Beogradi zyrtar nuk është për të hyrë fare në bisedime, pa e pasur levërdinë e ndarjes së Kosovës, por bisedimet do të rihapen përsëri, me apo pa taksën, duke mos paragjykuar vija të kuqe në tavolinë.

Status kuoja më nuk i shërben as Prishtinës e as Beogradit. E, për të ruajtur sovranitetin e Kosovës duhet të flasin me një zë pozitë e opozitë dhe të minimizohet roli i “Listës Serbe”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË