Vala

Historia e saj tregon se ajo ishte bërë burrneshë ta ruante shtëpinë nga shuarja. E kishte mbajtur “gjallë” shtëpinë, duke i qëndruar besnike veshjes së burrave më të përbetuar të kohës. Andaj, në të gjitha emërtimet e rrugëve të fshatit, vetëm emri i saj arsyetonte tabelën e mbishkrimit…

Atëherë e kishim edhe pranverën, stinën e luleve dhe të fluturave, së cilës i gëzoheshim kur vinte më 21 mars. Nuk kishte ngatërrim stinësh, as ngrohje globale. Kishte akoma oda burrash… Dhe, para se të fillonte pranvera e dinim se do të vinte halla e shtëpisë sonë, e që nga dashnia e thërrisnim “Bali”.

Fqinji i parë më ftoi në fejesën e vëllait, të dielën e fundit, më 2 dhjetor. Do të vinin burra të jepnin dorën e një vajze, që më vonë do bëhej nuse në një komunë të largët, që askush nuk e kishte ëndërruar ndonjëherë.

Erdhën ca burra të thinjur dhe u ulën në sallonin e shtëpisë. U shpërndanë cigaret e para dhe ende pa u thënë asnjë fjalë e vetme, më i vjetri nga të ardhurit foli diçka që nuk lidhej me qëllimin e ardhjes së tyre. Tha se i vinte mirë që paskësh hyrë në një shtëpi që vetëm pak metra ndahej nga shtëpia e një plake të njohur, që kishte lënë emër e nam me trimëri, burrëri, sjellje e guxim. Dhe, sa mbyll e hapë sytë u zgjerua muhabeti për hallën Sherife, Sherife Krivaçën.

Babai i saj kishte mbajtur burg 12 vjet në Turqi. Shtëpia kishte mbetur vetëm. Duke i rënë shkurt ngjarjes, shtëpia kishte mbetur në një femër. Kishte premtuar bacën se nuk do linte të shuhej shtëpia e as pragu i saj. Në natën e parë që po e bënte e vetme në shtëpi, kishte hequr dimitë dhe veshjen femërore për t’i ndërruar ato me tirq, këmishë burrash e plis. Xhamadan burrash e shokë në brez. Dy revole i kishte futur në të dhe kishte dhënë betimin ta merrte rolin e burrit në shtëpinë e vet.

E nesërmja i kishte aguar si një grua burrërore, që kishte marr primatin e burrëreshës, që do ta mbante “gjallë” shtëpinë, pa e shuar pragun e saj. Kishte qenë pikërisht muaji prill kur e kishte filluar jetën e burrneshës. Lëronte arat që ishin mbi 20 hektarë. Flokët gërshetë i kishte palosur nën qeleshe dhe e kishte bërë një orar ditor: Zgjohej herët për të punuar tokën dhe kthehej vonë në mbrëmje.

Dhe, fshatarët e kishin njohur vetëm në fytyrë se ishte Sherifja, ajo që ishte bërë burrnesha e pazakontë në këtë anë. Ishte e gjatë dhe e mprehtë nga mendja, e ashpër dhe fisnike nga sjellja. I falte pesë vaktet e namazit, kudo që ndodhej dhe nuk ishte shaka me të…

Dhe, me vite të tëra e punonte tokën, kishte rritur tufën e deleve dhe e kishte mbrojtur shtëpinë nga shuarja. Ishte më e njohura në “Lugun e gjatë”, por edhe në “Kodër të kishës”, në “Lug të hoxhës”, madje edhe në Rrafsh të Surgjakut”…

Pranvera e parë

Më t’u kthyer nga burgu babai i saj, ajo i tha: “M’i ke lënë 30 dele dhe tash po t’i dorëzoj 100 sosh. Tokën e kam punuar dhe nuk e kam lënë djerrinë. Krejt çka është dashur të bëj i kam bërë me nder dhe tani dua të marrësh rolin që kishe…

Dhe, pas dymbëdhjetë vjetësh, nxjerr rrobat që i kishte lënë në sanak dhe merr kopenë e deleve dhe i dërgon te “Lugu i hoxhës”. I lë delet aty dhe vetë fillon jetën si nuse e një burri të një fshati të largët, që pakkush e kishte ditur e pritur. Me t’u bërë nuse i dërgon dy burra në shtëpinë e vet për ta informuar babanë se tashmë ishte nuse. Babai zhgënjehet shumë, në radhë të parë e kishte pritur 12 vjet, kurse tash, kur u kthye ai nga burgu, ishte martuar pa asnjë paralajmërim.

Babai u thotë burrave se nuk do e pranojë në shtëpi për së gjalli. E kishte paralajmëruar se po të vinte në shtëpi do e vriste, sepse, sipas tij, shkuarja e saj pa paralajmërim e kishte turpëruar…

Ishin bërë shumë ndërmjetësime e shumë ndërhyrje burrash të kohës për t’i pajtuar, por askush nuk kishte mundur ta ndryshonte mendjen e babait të saj. Pas tri vjetësh, kishin përfunduar të gjitha përpjekjet e burrave për ta ndryshuar qëndrimin e të atit për ta pranuar në shtëpi.

Dhe, ditë pas ditësh, kalojnë dhjetë vjet dhe halla Sherife ishte mërzitur për vendlindje dhe të afërmit e saj. Ishte mërzitur për thera e gurë dhe për çdo pëllëmbë dheu që e kishte shkelur me vite. Ishte mërzitur të kthehej në shtëpi, si Malësorja e Isuf Agës, që po kthehej në malet e vendlindjes, për të kënduar këngën që do e njihnin njerëzit e rrethit të vet dhe gjithë malësorët.

Pas një kohe i kishte ftuar burrat në shtëpi dhe u kishte thënë: “Mos shkoni më ta mërzisni bacën se unë e di vetë kur shkoj në shtëpinë time!”.

Dhe, kur djali i madh i saj ishte bërë nëntë vjeç e vajza shtatë, ajo i kishte marrë me vete dhe ishte nisur për në shtëpinë e vendlindjes.

Burrit dhe të tjerëve u kishte thënë se merr rrugë pa kthim. Shkonte të vdiste në vendlindje… Kthehej në shtëpinë e lindjes pas 10 vjetësh, pa marrë parasysh se çka mund t’i bënte babai i saj… Aty mund ta priste plumbi i tradhtisë, mund ta priste plumbi i hidhërimit…

Dhe, e mbuluar me çarçaf të bardhë, rrugës i kishte thënë djalit se nëse e vret babai, më mbulo me çarçafin e bardhë që e ka, sepse bardhësia është pjesë e jetës së saj…

E, teksa i afrohej shtëpisë, nga larg e njeh babai i saj dhe shpejt e shpejt merr pushkën për ta vrarë.

Por, kur sheh se ajo nuk ishte vetëm, por me dy fëmijë, e hedhë pushkën nga dora…

Dhe, që nga ajo ditë halla Sherife bëhet bijë legjitime e shtëpisë. Burrëria dhe guximi i saj bën që babai të heqë dorë nga hakmarrja.

E tash, që kanë kaluar shumë kohë, e mbaj mend si plakë me trup të gjatë dhe të drejtë. Grua që fliste pak e i kishte fjalët të zgjedhura. E di se, pastaj, vinte çdo pranverë…

Pranvera e dytë
Shtruam rrugën e fshatit me asfalt dhe, më në fund, u bëmë vend i shtrenjtë. Doli nevoja ta kompletonim infrastrukturën e fshatit dhe hyri në projekt emërtimi i rrugëve dhe rrugicave. Duhej të jepnim secili familjar nga një propozim për emërtimin e rrugës së vet, emër që do të vendosej në tabelat informative me ngjyrë të kaltër.

Ishte pranverë. Po i dëgjoja propozimet e banorëve të fshatit… Shumica të rinj, që nuk dinë historikun e njerëzve që duan t’i bëjnë emra historikë. Shumë prej tyre të papranueshëm, për shkak të kaluarës. Shumica emra pleqsh, që kanë vdekur që moti e që trashëgimtarët mundoheshin t’i rehabilitojnë. U tha edhe emri i njërit si emërtim për lagjen tonë…

Propozuesi nga familja e tij nuk e dinte se mu ai ishte shkaktar i vrasjes së pesë vetave të një familjeje! Po mendoja të hap atë histori, por kanë kaluar dhjetëra vite e propozuesit nuk dinë më shumë për gjyshin e tyre, veç faktit se ka qenë dikur babai i baballarëve të tyre, edhe pse në varret e pesë vetave shkruan qëllimi i martirizimit.

Kujt t’i tregohej se kush ishte gjyshi i tyre?!
Dhe, pa e zgjatur shumë, propozimin e pranon komisioni si të përfunduar! Komisioni komunal për emërtimet ishte vetëm një grup njerëzish për amin e jo për verifikim. Ashtu sikur ishte arsyetuar kryetari i komunës së Graçanicës pse nuk e vendoste flamurin e Republikës së Kosovës, sepse, sipas tij, atë flamur nuk e ka në komunë as Shpend Ahmeti i Prishtinës!

Andaj, edhe kundërshtimi im do të vinte në vesh të shurdhër, ngase nuk kisha kujt t’i tregoja se kush ishte filani që po i vihej emri në tabelën emërtuese, që edhe është një lloj historie në vetvete…

U ngrit tjetri dhe propozoi emrin e një djali të ri nga ngjarjet e vitit 2004 në Kosovë, duke i lënë në harresë shumë fakte dhe detaje që nuk bën të fliten e u ngritë një tjetër e një tjetër…

Dhe, më vjen radha të flisja edhe unë dhe kisha ide të mirë. Mirëpo, meqë nuk e njeh askush atë emër, së pari hezitova ta them… Propozimi im ishte për Sherife Krivaçën. Mbetën të habitur dhe fillojnë t’më shikojnë se kush kishte qenë Sherifja…

“E para, Sherifen ju nuk e njihni, sepse ka kaluar kohë e gjatë kur ajo jetonte në fshatin tonë. Ka qenë burrneshë e fshatit, që e ka mbajtur vetë shtëpinë, meqë babanë ia kanë dënuar me 12 vjet burg. Ajo grua në kohën e saj i kishte rrahur disa burra të fshatit që ishin marrë me mynafik, demek me spiunazh”.

Pas kësaj bie një heshtje… Askush nuk di të bëjë pyetje e as të flasë gjë për këtë propozim! Askush nuk ka haber në histori! Heshtin të gjithë, sepse askush nuk interesohet të dijë për të kaluarën e fshatit…

Pranvera e tretë
Kishin qenë vitet 1970 kur në Tetovë, ku jetonte Bali, zëri i shqiptarëve mund të ishte dëgjuar vetëm aty ku pinin çaj rusi. E, ai vend ishin çajtoret. Si familje patriotike, familja e Balit ishte në shënjestër nga pushteti. Për të mbijetuar halla Sherife i kishte dhënë ide të birit se mund të jetohej edhe duke incizuar kaseta me këngë të kreshnikëve dhe me këngë patriotike, që do të shiteshin në tregun ilegal të Tetovës.

Pas shumë kohësh të kësaj veprimtarie, birin e saj e kishin kapur në treg me kaseta me këngë patriotike dhe i kishin thënë: “A ti je i biri i Sherifes, a?!”. Dhe, ia kishin vënë zullumin.

I hyjnë në shtëpi për kontroll dhe fill pastaj edhe e burgosin…

Sokol Murturi (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË