Vala

Duket se gripi i derrit ka ardhur sërish në vendin tonë.

Pesë persona dyshohet se kanë humbur jetën gjatë këtij viti në Kosovë nga gripi i derrit, apo virusi H1N1.

Ndërkohë në Kliniken Infektive të QKUK-së, 11 persona janë të shtrirë si pasojë e prekjes nga ky virus, disa nga ta janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Nga gripi i derrit të premten dyshohet se ka ndërruar jetë edhe një grua e rreth të 60-ve, nga Gjilani.

Kanë hapur të pame për nënën e tyre, e cila vdiq të premten që e lamë pas, në Kliniken Infektive të QKUK-së. Z. Ramiqi, e lindur në vitin 1958, nga Pozorani, për tre ditë kishte pasur indikacione të gripit, duke ndërruar jetë pas tre ditëve në Kliniken Infektive të QKUK-së.

Mjekët në spitalin rajonal të Gjilanit kanë qenë të parët ata që kanë dyshuar se zonja ka mundur të jetë e prekur nga virusi H1N1, andaj të njëjtën e kanë dërguar të premten në mesditë urgjentisht në Infektiven e QKUK-së për procedura të mëtejme.

Por, me të arritur në QKUK, ajo ka ndërruar jetë.

“Ajo paraprakisht ka vuajtur prej zemrës, së fundmi i ka pas disa implikacione. Rasti i fundit, ka pasur një ftohje, ajo është trajtu dy ditë te mjeku, pa konstatim të saktë, një ftohje e rëndomë. Mirëpo më vonë iu përkeqësua gjendja në natën e tretë është manifestu me vjellje. Mjeku i zemrës që e ka trajtuar më herët ka konstatua që në organet e frymëmarrjes asaj i është përkeqësu gjendja si dhe i janë dëmtuar organet e frymëmarrjes. Për trajtim të mëtejmë ata kanë preferuar që të dërgohet në Prishtinë në spital”, tregon burri i së ndjerës.

Tutje ai shpjegon se mjekët kanë dyshuar se ajo mund të jetë e prekur me grip H1N1. Por, familja nuk ka pranuar që të ndjerës t’i bëhet analiza e obduksionit.

“Mirëpo gjendja asaj iu përkeqësua të premten ku edhe rreth orës 16:30 në klinikën Infektive vetëm se ndërroi jetë. Se a mund të jetë e prekur nga gripi i derrit ne si familjarë nuk kemi mundur që ta konstatojmë, mirëpo nga mjekët ka pasur dyshime. Organikisht dhe fizikisht ajo në të kaluarën ka qenë shumë e fortë. Obduksionin nuk kemi me pranu me e ba. Unë si familjar nuk kamë pranuar. E pamë që zgjatë shumë dhe e pamë mundim të tepërt”, ka shpjeguar tutje burri i së ndjerës.

E ndërkohë vetëm nga rajoni i Gjilanit, dyshohet se tre persona tashmë kanë vdekur si pasojë e gripit të derrit, dy nga këto tre raste tashmë janë të konfirmuara. Këtë ka thënë edhe drejtori i spitalit në Gjilan, Nysret Hajrullahu.

“Për rastin që po pyesni nuk kam ndonjë informacion. Mirëpo dy raste ne tashmë i kemi të konfirmuara”, ka thënë Hajrullahu të martën.

Ndërkaq, drejtori i klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka deklaruar se për rastin e zonjës nuk mund ta flas sot, ngase nuk ka informata dhe se zonja kishte humbur jetën menjëherë pasi kishte arritur në Infektiven e QKUK-së.

MUND TË JU PËLQEJNË