Vala

EULEX kishte kërkuar edhe mbylljen e dy rasteve të tjera .

Në të paktën tri raste të identifikimit të mbetjeve mortore, misioni i EULEX-it ka dështuar ta kryejë me përgjegjësi detyrën e tij.

Bazuar në disa dokumente të cilat i ka siguruar Kohavisioni, misioni evropian për sundim të ligjit, në një rast, ka vënë mbetjet mortore të serbëve nën kodet e varrezave masive, me shqiptarë që janë gjetur në Serbi, raporton KTV.

Mbetje mortore të serbit me inicialet P.D., i gjetur në një varrezë në Malishevë, në raportet e ekspertëve të EULEX-it janë vënë nën kodin DSK1-RCAL3, kod ky i identifikimit të mbetjeve mortoreve të ardhura nga Peruçaci.

Ky fakt ka shqetësuar punëtorët vendorë të Institutit të Mjekësisë në Prishtinë, të cilët kanë kërkuar nga EULEX-i ndryshim dhe përmirësim të kodeve për shkak se një gjë e tillë mund të krijojë situata të paqena, pasi që, sipas tyre, në Peruçac ishin dërguar eshtrat e shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia serbe.

Edhe pse kërkesa e tyre ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, EULEX-i nuk i ka përmirësuar gabimet.

Bashkë me këtë rast, EULEX kishte kërkuar edhe mbylljen e dy rasteve të tjera pa dorëzuar fare raport të autopsisë dhe raport antropologjik.

Në një tjetër rast, EULEX kishte dështuar të identifikonte se cilit prej tre vëllezërve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë u takonin mbetjet mortore. Njëjtë ka vepruar edhe me mbetjet mortore të H.G.

EULEX-i nuk ka dhënë sqarime dhe në përgjigjen e tyre ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se janë vetëm ndihmës të Institutit që nga 15 qershori i këtij viti.

Nga ana tjetër, drejtori i këtij instituti, Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka pranuar që ka pasur një shqetësim nga punëtorët vendorë.

Kosova nuk ka ende antropologë dhe shumicën e shërbimeve i kanë kryer ekspertët e huaj në kuadër të misioneve të ndryshme që kanë punuar në Kosovë.

Antropologu i parë vendor do të nisë punën në qershorin e këtij viti.

Gjatë viteve 99-2000, 4 mijë e 19 persona janë varrosur në Kosovë pa analiza të ADN-së me metodën klasike të bërë nga Tribunali i Hagës.

Në vitet pasuese, 2002-2008, është identifikuar pjesa më e madhe e të pagjeturve që kanë ardhur nga tri varrezat masive në Serbi, përkatësisht Peruçac, Batajnicë dhe Bajnabashta.

Prej vitit 2008 deri në qershor të 2018, ky proces është udhëhequr nga EULEX-i. Gjatë kësaj kohe janë kthyer 53 trupa nga Rudnica.

Ndërsa familjarët kishin varrosur rreth 2 mijë persona pa kurrfarë analize. Prej 6 mijë personave që janë varrosur pa analiza të ADN-së, 20 përqind e tyre besohet se janë varrosur gabimisht.

MUND TË JU PËLQEJNË