Vala

Teuta Krasniqi është përherë e pëlqyer, e dashur dhe nxitë kureshtje. Ajo asnjëherë nuk bëhet bajat, as si prezantuese, as si aktore… Teuta Krasniqi është bërë nënë për herë të dytë dhe, pa dyshim, edhe kjo gjë u shndërrua në lajm sensacional në media. Aktorja që ishte në fokus edhe gjatë këtij viti, flet ekskluzivisht për “Boom”-in, për ndjesinë e të qenit nënë për herë të dytë, për jetën familjare, suksesin dhe shumë të tjera.

• Si po e ndien veten si nënë për herë të dytë, emocionet?
Po ndjej dyfish dashuri, lumturi dhe përgjegjësi. Para se të lindte Kaia, gjatë kohës sa isha ende shtatzënë, mendoja se si do kem mundësi ta dua edhe dikë tjetër me të njëjtën fuqi sa e dua Tarën dhe nganjëherë frikësohesha mos më duhet ta ndaj atë dashuri përgjysmë, por ndodhi mrekullia që dashuria u dyfishua, zemra u rritë dyfish. Po ndihemi shumë të kompletuar edhe Tara edhe unë, e edhe Adonisi.

• Si fëmijë, me kë ishe më shumë e lidhur nga prindërit?
Jam shumë e lidhur me të dy prindërit, veçmas me nënën. Kam shumë çështje dhe tema me të cilat ndjehem më e lirshme t’i diskutoj me nënën, por me babin e kam një lidhje shumë të fuqishme dhe e kam përshtypjen se ai gjithmonë e di se në çfarë faze apo disponimi jam. Mendoj se edhe pa ia thënë asnjë fjalë ai e di gjithmonë gjendjen time shpirtërore.

• Çfarë talenti vëren te Tara? A pritet të merret edhe ajo me aktrim apo muzikë?
Tara sapo ka debutuar në skenë me këngën e saj të parë “Viti i Ri” dhe them se ma kënaqi zemrën e shpirtin dhe më bën të ndjehem nënë krenare me të. Jo vetëm pse ka incizuar një këngë, atë mund ta bëjë pothuajse gjithkush, por për mënyrën se si i qaset një pune. Ka punuar shumë për këngë, si dhe me koreografi. E ka marrë me shumë përkushtim, sepse unë mundohem ta mësoj që suksesi nuk vjen i gatshëm, por duhet shumë mund, përkushtim dhe dashuri për të arritur majat e suksesit. Mundohem ta mësoj që ajo që ka rëndësi është puna dhe përkushtimi dhe asnjëherë të mos i pret gjërat e gatshme. Po ashtu, deri tash Tara i ka pasur dy shfaqje që janë prezantuar në Teatrin Kombëtar në kuadër të Art Studios “iStar”, si dhe disa performanca në balet. Unë nuk bëj pjesë në mesin e prindërve që me çdo kusht duan që fëmijët e tyre të merren me skenë, përkundrazi nuk i imponoj kurrë asgjë, por në momentin që e shoh talentin dhe interesimin e saj për një fushë të caktuar atëherë me mish e me shpirt e përkrah deri në maksimum.

• Aktore apo prezantuese, cila të fle më shumë?
Aktore definitivisht. Kam studiuar për aktrim dhe është jo vetëm profesion për mua. Është diçka që më përmbush shpirtërisht. Kur jam në “terrenin tim”, kur jam në skenë apo në set xhirimi, ndjej se po kryej një ndër misionet më të rëndësishme për mua.

• Projektet e ardhshme të Teutës?
Sapo kam filluar me xhirimet e filmit të regjisores Burbuqe Berisha dhe do të vazhdojmë me xhirime deri në muajin mars të vitit të ardhshëm. Po ashtu, vazhdoj punën me Art studion time “iStar”, nga e cila çdo ditë e më shumë po dalin talente të reja në aktrim dhe pikturë.

• Sa kilogramë ke shtuar gjatë shtatzënisë?
Gjatë shtatzënisë kam shtuar mbi 20 kg. Jam në proces e sipër për heqjen e disa kilogramëve që i kam ende tepër, por që nuk e kam të mundur ta përshpejtoj shumë këtë proces, sepse vajzën e vogël e kam me gjidhënie dhe tash për tash ushqyerja e shëndetshme e saj ka më shumë rëndësi sesa fiziku im. Gradualisht, por shëndetshëm, do të arrij te pesha ime ideale. Unë mendoj se asnjë grua nuk duhet ta lë veten pas dore vetëm pse është bërë nënë, përkundrazi ne jemi shembull, së pari, për fëmijët tanë dhe është shumë e rëndësishme të na shohin që kemi disiplinë për gjëra të caktuara në jetë e një ndër më të rëndësishmet është mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik.

• Për çka je penduar në jetë?
Nëse u referohemi çështjeve madhore të jetës, nuk jam penduar për asgjë. Çdo gjë që më ka ndodhur në jetë, si të mirat si të këqijat, më kanë sjellë në këtë pikë ku jam sot, e këtu ku jam sot ndihem shumë e plotësuar dhe në harmoni.

• Çka të nervozon më së shumti?
Mentaliteti i cekët, roli i viktimës (me vetë dëshirë), paragjykimet, papërgjegjshmëria dhe dembelizmi.

• Raportet me familjen e Adonisit?
Të shkëlqyeshme. Adonisi rrjedh nga një familje shumë e mirë dhe e dashur, dy prindër të ngritur, i ka dy motra e një vëlla (të gjithë më të mëdhenj). Të gjithë jetojnë në Londër, por jemi takuar disa herë në Prishtinë dhe kemi krijuar një raport shumë të afërt. Janë njerëz shumë mendje hapur dhe të dashur. Sapo i kam takuar jam ndjerë thuajse i kam njohur gjithë jetën.

• A është ndjerë ndonjëherë Tara xheloze për Kaien, gjë që zakonisht mund të ndodhë te fëmija i parë?
Zakonisht, ndodh që fëmija më i madh të ketë xhelozi për më të voglin, por fatmirësisht në familjen tonë kjo nuk ka ndodhur. Tara është shumë fëmijë i mbarë dhe shumë e dashur. Para se të mbetëm shtatzënë ajo ma puthte barkun dhe lutej për një motër dhe mrekullisht ndodhi që linda përsëri vajzë. Tara më ndihmon shumë rreth Kaias, i këndon, i flet për planet se çka do të bëjnë së bashku në të ardhmen dhe ka shumë dashuri për motrën. Në asnjë moment nuk ka shfaqur xhelozi, por për këtë, përveç meje, ka shumë merita edhe Adonisi, i cili gjithmonë e vendosë Tarën në vend të parë për çdo gjë.

• Ç’bën në kohën e lirë?
“Kohë e lirë”? Ç’është ajo? Pak shaka, por e vërteta është se nuk kam kohë të lirë pothuajse asnjë moment. Mëngjesi im nisë me përgatitjen e Tarës për në shkollë, vazhdon me ushqyerjen e Kaias, përgatitjen e mëngjesit, ndonjë punë e shtëpisë, përgatitja e drekës, kontrollimi i detyrave të shtëpisë së Tarës, tri orë mësim në “iStar”. Mbrëmjet janë gjithmonë familjare, ku jemi të gjithë në shtëpi dhe përgatitja për gjumë… Prandaj, kohën time të lirë e kaloj në gjumë.

• Ku do ta kalosh fundvitin?
Në shtëpi, është viti i ri i parë i Kaias dhe duam ta presim të gjithë së bashku.

• Nëse do ta ktheje kohën, çfarë kishe ndryshuar në jetën tënde?
Asgjë.

• Ke luajtur në shumë role, në cilin prej tyre e ke ndierë veten më të veçantë?
Roli “Maria”, në shfaqjen “Të mallkuarit”, me regji të profesor Enver Petrovcit, pastaj “Hana” në filmin “Engjëjt janë larg”, me regji të Gjergj Xhuvanit, si dhe shumë të tjerë. Në secilin rol ndjehem në mënyrë të veçantë, sepse vetë fakti se jam duke interpretuar më jep ndjenjë të veçantë.

• Je shumë e angazhuar me punë, aktrim dhe, po ashtu, me familje, a arrin t’i kryesh të gjitha vetë?
Nuk dua të tingëllojë klishe, por vërtet nëse do mund t’i arrish të gjitha. E thashë më lart se ne jemi shembull për fëmijët tanë dhe unë e kam shumë të rëndësishme që vajzat e mia të më shohin të përkushtuar në secilën punë që bëj, të shohin se gjërat e mira dhe sukseset nuk vijnë të gatshme, por duhet shumë punë dhe vullnet për të arritur atë që duam. Nuk është e lehtë, sepse një nënë moderne është e stërngarkuar, përveç profesionit dhe projekteve edhe me obligimet e shtëpisë, e që nuk është e lehtë të mbërthehen të gjitha. Por, jam e bindur dhe e them se me një qasje pozitive dhe mirënjohje të vazhdueshme për gjithçka që kemi në jetë, arrihet çdo gjë dhe do të kemi më shumë arsye për çka të jemi mirënjohës në jetë.

• Me cilin koleg-kolege nga fusha e aktrimit je më e lidhur?
Shumë kolegë i kam edhe miq, por po i përmendi vetëm disa: Fatmir Spahiu, Irena Aliu, Lena Kryeziu, Arta Selimi e shumë të tjerë.

• Gjëja e parë që bën kur zgjohesh në mëngjes?
Çdo mbrëmje dhe çdo mëngjes e falënderoj Zotin, kjo është gjëja e parë dhe e fundit që e bëj çdo ditë dhe çdo natë. Pastaj, i kontrolloj Tarën dhe Kaien dhe e përqafoj njeriun e zemrës, Adonisin. Nëse kam “fat” në mëngjes, e zgjasë gjumin edhe pak…

• A i jep rëndësi kuzhinës dhe ushqimit?
Jashtëzakonisht shumë dhe një pjesë e konsiderueshme e ditës sonë, e imja dhe e Adonisit na kalon pikërisht në përgatitjen e ushqimit. Adonisi e njehë shumë mirë aspektin e të ushqyerit shëndetshëm dhe unë kam mësuar shumë nga ai në këtë fushë. Në mëngjes gjëja e parë që përgatisim është lëngu me fruta dhe disa lloje të farave organike që Tara para se të niset për shkollë së pari e pi atë lëng, pastaj e përgatisim “qullin” tërshërë me shumë lloje farash organike që kanë vlera ushqyese. Dreka gjithmonë është me shumë perime, sepse Adonisi është vegjetarian dhe nganjëherë na duhet të përgatisim dy dreka të ndryshme, një për mua e Tarën (edhe pse as ne nuk hamë shumë mish) dhe një për Adonisin. Jashtë nuk ushqehemi pothuajse kurrë, kemi vetëm dy restorante në listën tonë, që ndonjëherë porosisim ushqim, por edhe kjo ndodh rrallë. Jemi të dy shumë të përkushtuar në aspektin e të ushqyerit shëndetshëm dhe mundohem sa më shumë t’u tregoj edhe të tjerëve për disa lloje të ushqimeve që nuk janë as të shtrenjta as nuk është vështirë të gjenden, por që janë shumë të dobishme për shëndetin tonë.

Donikë Gjonbalaj/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË