Vala

Me një president të dalë nga pazaret politike të partive, e jo i zgjedhur nga populli, me politikanë e deputetë që më së paku përfaqësojnë popullin, Kosova sikur është bërë pronë private e gjithë atyre që merren me politikë, e veç e popullit jo, shkruan “Kosovarja”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që tash po ikë nga deklarimi i shkëmbimit të territoreve me Serbinë, në mënyrë të paautorizuar plasoi tezën e ndryshimit të kufijve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh e kujt ishte ideja.
E, ajo ide tashmë ka prodhuar pasoja…

Kryeministri thotë në njëjës: “Nuk e heqi taksën!”, sikur Kosova të jetë e tij, ndërsa deputetët në Parlament, për secilën temë që hapin, zakonisht, e sjellin muhabetin rreth inateve politike, kinse secila parti synon pushtetin.

E, dihet se kemi një Kuvend që, më së paku, e bën punën e vet për vënie legjislativi në fuqi.

Dhe, një Kuvend që as për interesa shtetërore e kombëtare nuk flet me një gjuhë, tregon më së miri se çfarë strukture parlamentare ka Republika e Kosovës!

Deputetët tanë, kur kanë tema të rëndësishme të interesit nacional, në vend se të merren me interesin shtetëror, hapin plagë të vjetra se kush kënd e ka vrarë paslufte, kurse puna e vrasjeve, para dhe paslufte, është kompetencë e prokurorisë dhe e gjyqësisë.

Në Parlamentin e Kosovës shpesh ndodh që deputetët vetë janë deputetë, vetë prokurorë, vetë gjyqtarë! Dhe, njeriu fiton përshtypjen se ata i dinë të gjitha, kurse vrasësit nuk janë arrestuar asnjëherë!

Në anën tjetër, shtrohet pyetja: Të kujt janë ministritë që janë stërmbushur me të punësuar pa asnjë kriter dhe mbi baza tërësisht politike dhe familjare?

Ku është populli dhe a mendon sot kush për popull?!

Faktet tregojnë se populli është lënë nën mëshirë fati! Populli i Kosovës i ka dyert e hapura vetëm për të ikur, për ta lëshuar vendin! Madje, duke i shitur edhe pulat për të bërë pak para për të ikur!

Rinia jonë, e që është dhurata më e madhe e Zotit për vendin tonë, edhe pse me fakultete e me master të kryer, nuk kanë perspektivë dhe secili mundohet t’ia mbathë dikah!

Sot kemi shumë të rinj që bredhin rrugëve edhe me nga dy diploma fakulteti, kurse në institucionet shtetërore hapen konkurse, ku kërkohet shkolla e mesme, sepse vendin ia përshtatin personit të caktuar! Dhe, të diplomuarve me fakultet u thonë – ti je për drejtor e jo për nëpunës zyre!

Shtrohet pyetja: A kanë turp, këta njerëz, që në vend se ta punësojnë fëmijën e një të varfëri dhe ta nxjerrin nga kriza sociale një familje skamnore, ata i punësojnë kushërinjtë, kunatat, baxhanakët, madje edhe dashnoret e tyre!

Dhe, mosfunksionimi i ligjeve të jep të kuptosh se Kosova është privatizuar! Secili bën çka do e çka i teket! Secili që ka pushtet punëson kë do vetë! Secili e merr automjetin e shtetit dhe bartë fëmijë e bija prej një vendi në tjetrin, i qon fëmijët në shkollë a në shëti dhe askush nuk del ta ndalë këtë dukuri!

Kosova quhet “Republikë Parlamentare”, e, në fakt, është shndërruar në pashallëk dhe kush është më i forti bën çka do dhe as që përfill ligjin!

Sidoqoftë, politikanët tanë janë grumbulluar nëpër parti politike, të cilët popullin e shohin një herë në katër vjet, kur edhe shkojnë t’ua kërkojnë votat për partinë dhe ua japin nga një litër vaj për votë!

E, populli pranon edhe me një litër vaj, sepse është ngushtë për gjithçka… Ata u premtojnë bukë, rrugë e asfalt, transparencë e afërsi me qeverisjen, por krejt kjo zgjat aq sa zgjat edhe fushata zgjedhore!
Më pas populli nuk i sheh liderët!

Pra, Kosova është privatizuar dhe është e gjithkujt, por veç e popullit jo! Sepse, populli nuk pyetet për asgjë!

Dhe, pse ndodh kjo?
Sepse, ata që e përfaqësojnë shtetin nuk i përfillin ligjet. Ligjet i hartojnë vetë, i miratojnë vetë dhe i shkelin vetë politikanët tanë! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË