Vala

Fqinji im po punonte në kopsht dhe ishte hidhëruar me të birin. E pyeta: “Çka do të mbjellësh këtu, sepse e paske lëruar mirë tokën?”. “Dua të mbjell fidane. Kanë për t’u rritur sa plepat, sepse këtu është toka për pemë. Dhe, këtë punë po e bëj për inati”, ma ktheu.

Nuk di kush e ka shpikur inatin, por di se shqiptarët janë ithtarët më të mëdhenj shpirtëror të tij. E bartin shumë shallin dhe inatin. Shallin në fyt, inatin në zemër, kurse në gojë fjalët: “Bane Zot llugë!”.

Teksa pi me shokë kafenë e mëngjesit, vjen turravrap një gjysmë-shok dhe, pasi ulet, i thotë mikut të vet:
“E kishe bërë një lokal të mirë në Prishtinë. Kur do ta hapësh?

Për inati të Sylës hape sa më shpejt, e le t’i kupë zemra atij, se nuk ka më i keq e më i lig se ai! Heu, çka i ka bërë ai kësaj lagje! Kur erdhi në lagjen tonë nuk patëm qejf hiç, u munduam ta pengojmë, por kishte pasur dikë në komunë e…

Tash e ka bërë të veten tërë mëhallën. Hape atë lokal për inati të tij dhe një kafe e ke prej meje!”.
Si me tallje kyçem edhe unë në muhabet, duke i thënë se nuk ka më i lig se Syla.

“I keq është ai farë njeriu, bre! I lig, i poshtër!”, i them unë, e ai fillon raundin e dytë për Sylën:

“A po e njihje Sylën, a?!”.

“Po, more, kush nuk e njeh Sylën?!”, ia kthej unë.

“Mirë që e paskam dikë ngatë se kur po foli për të nuk po më besojnë…”.

Të flasësh për Sylën është barazi me zero, krahasuar me inate të tjera për të cilat njerëzit ndezin plumbin dhe shkaktojnë bela të reja. A dini sa belaja e re po bërë çdo ditë, aq sa duhet të fillohet një kapitull i ri i pajtimit?! Janë rrahur para pak ditësh dy të rinj dhe tash duhen njëqind burra për t’i pajtuar se mos po kërcet kiameti dhe po bëhet diçka më e madhe.

Babë e bir nuk flasin ndërmjet veti!

Por, ka edhe më keq… Inatet në familje janë edhe më të këqija. Inati mes babait dhe djalit, për shembull. Tezaku im me djalin janë inatxhi të fortë mes vete. Më inatxhi se
Thaçi e “Vetëvendosja”. Nuk flasin prej vitesh mes vete. Jetojnë si armiq, flasin si armiq, por janë babë e bir. Njëri-tjetrin e thërrasin në emër.
Kur hyn në shitore babai kënaqësinë më të madhe e ka kur flet keq për të birin…
A mirë, a?!

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË