Ai, siç merr vesh Klan Kosova, këtë datë, do të pritet në Berlin, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Takimi mbahet me kërkesë të kësaj të fundit, dhe realizohet diku rreth orës 17 e 50.

Mësohet se kryetemë e bisedimeve do të jetë “finalja”e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qëndrimi gjerman është se negociatat mes dy shteteve të Ballkanit duhet të përfundojnë patjetër më 2019.

Çështja tjetër me shumë rëndësi që do ta diskutojnë gruaja më e fuqishme në botë dhe Thaçi është themelimi i paaltnernativë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – temë kjo e “nxehtë” në Kosovë.

Vizita e presidentit në Berlin nuk është thjesht vetëm një takim për çështje bilaterale.

Merkel ka ftuar Thaçin si pjesë e nismës së saj për të kontribuar në stabilizmin e Ballkanit. Me këtë takim dhe takimet paraprake, Gjermania po tregon se kush janë liderët në të cilët duhet llogaritur për stabilitet në regjionin e Ballkanit.

Jo më larg se dje (të mërkurën) kancelarja gjermane u takua edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Pas bisedave, Merkel deklaroi se Tirana zyrtare ka bërë progres ndërsa shtoi që do të vendoset në ditët në vijim sa i përket negociatave.

Dialogu Kosovë-Serbi ishte një temë tjetër e takimit të djeshëm në Berlin.

Më herët gjatë prillit gjermania pati edhe një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, kreu i shtetit serb tha se ka analizuar me Merkel pikë për pikë marrëveshjen e Brukselit.

“Nuk do ta kemi të lehtë në të ardhmen në agjendën politike për shkak të Kosovës, por unë jam i kënaqur me mirëkuptimin që kam marrë në Berlin”, kishte deklaruar ai pas takimit në Berlin.

Në ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte thënë se Serbia luan një rol kyç si në aspektin e Kosovës ashtu edhe të Bosnjë e Hercegovinës.