Vala

Kur njerëzimi kishte qenë me shpirt të pastër, qoftëlargët kishin jetuar mbi tokë. E, kur njerëzimi u bë intrigant, qoftëlargun e bartin me vete, si foshnjën që e mbanë nëna në bark. Ai i mëson për së mbrapshti. Kështu, edhe është zhdukur bamirësia, shkruan “Kosovarja”.

Jeta me qoftëlarg në bark jetohet edhe në politikën kosovare. Kanë filluar të mos i besojnë më as njëri-tjetrit, sepse njeriu më nuk di kush është as fëmija i tij! Nuk e njeh as gruan e vet njeriu! Po të fshihej në një zyrë burri e ta sheh gruan e vet në punë si flet e qesh dhe si kënaqet, zor se do ta pranonte në shtëpi, ani pse ajo shtiret “zog parajse”!

Qerrja e mbushur me qoftëlarg!

Retë përzienin si shtëllunga tymi të dalë prej gomash të ndezura, kur në qiell dikush vizatonte fytyrën e ujkut. Ishte dorë apo brushë ajo që vizatonte në qiell, askush nuk dinte, kur kuajt me qerre ngarkuar me dru ndaluan në gjolin e lumit që vinte nga bjeshka. I zoti i kuajve u bërtiti të ecnin, por kuajt nuk ecnin dot…

“Xhogu” u ngritë në këmbët e pasme sa desh të dilte andej bige dhe për pak minuta në përroskën e ujit malor u bë kaos. Të zotit të kuajve i kishin ndodhur gjëra të tmerrshme, por ai nuk i shihte shkaktarët…
Ndërsa burri në qerre po përballej me kaosin e kuajve në ujë, nga krahu i tij i majtë pa një kec, ulur si njeri… Keci qeshte me kuajt që

“luftonin” mbi përroskën e lumit dhe pas pak qerrja u rrotulla në ujë!
E, më pas një dorë femre me thonj të gjatë ua hoqi kuajve zinxhirët. E ata, të trembur, morën vrapin kah shtëpia…

Ky ishte momenti që u bë mit i radhës për kalimtarët e rrugës, e që lidhte kasabatë e qytetit me banimet e viseve malore, shkruan “Kosovarja”.

Dhe, kishte kohë që mitet vetëm ishin dëgjuar, por përfliteshin si diç përrallore.

Si u paraqitën qoftëlargët në dasmë?

Në kullën e Akun Agait bëhej dasmë e madhe. Do të niste dasma të premten dhe do të mbaronte pas një jave. Kishin krisur shumë pushkë derisa disa tjegulla edhe ishin thyer. Akun Agai martonte të birin…

Natën që erdhi nusja u shkrehën aq shumë pushkë sa qoftëlargëve iu prish rahatia…
Dhëndrin e përgatisnin për dhomën e tij, kur mbi shpinën e tij u hodhën shumë grushte nga duar të padukshme. Të gjithë mbetën të heshtur, por askush nuk e bëri të madhe. Ai u fut në dhomë, por diçka i thoshte të dilte nga dhoma. Diçka i fliste nga brenda se duhej të dilte në oborr dhe të freskohej.
Pas një kohe dhëndri doli në oborr dhe afër shtëpisë pa hijen e një femre. Dhe, posa sytë i drejtoi kah figura, pa nusen e vet kapur nga një dorë burri! I shqetësuar e ndoqi nusen që po largohej nga shtëpia deri në zabel.

Dhe, kur humbi hija e saj, ai u kthye në shtëpi… Posa hapi derën e dhomës nusja u ngritë në këmbë, siç ishte adeti të ngrihej për burrin.

“Ku ishte?!”, e pyeti.

“Nuk isha askund, njeri!”.

“Po tallesh me mua, a?!”, ia ktheu ai. “Të pash kapur nga një dorë tjetër njeriu dhe me të ike në zabel!”.
Nusja kundërshtoi, sepse edhe kishte arsye…

Por, burri që sapo ishte martuar nuk u bindë nga arsyetimi që i bëri e shoqja dhe, siç ishte adeti për tradhtinë, mori koburen dhe e qëlloi në gjoks…

Nusja ra e vdekur…

Më pas ai doli nga dhoma me kobure në dorë… U mbush dhoma me dasmorët që ende ndodheshin aty, duke komentuar secili në mënyrën e vet se çka mund t’i kishte paraprirë vrasjes së nuses. Në ato qaste qoftëlargu u shfaqë, duke dal nga palltoja e dhëndrit, ku edhe kishte qenë fshehur derisa ai vrau nusen.
Pas atij krimi, të gjithë u bindën se qoftëlargu ishte ai që e shpiku gjithë krimin. Qoftëlargu e mësoi dhëndrin si të vepronte…

Pendimi erdhi, por ishte i vonuar. Nusja tashmë ishte e vdekur… Kërkim-falja ndaj familjes së nuses nuk ishte zgjidhje. Ajo nuk do e ndihmonte dhëndrin as Akan Again të shpëtonte nga belaja, shkruan “Kosovarja”.

Qoftëlargu në shpirtin e njeriut

Intriga është duke dominuar në botën e sotme, që ka shtatë miliardë banorë në mbarë tokën. Gjërat kanë shkuar aq larg sa po vijnë kohët e vizitave të alienëve, e që ndryshe njihen si jashtëtokësorët.
Por, ka diçka të keqe në tërë historinë e qoftëlargut:
Është një natë që fëmijët festojnë “natën e shtrigave” (hallovenin), ku edhe raca e njeriut dëshiron të jetojë si qoftëlargu.
Dhe, fakti se qoftëlargu ka hyrë në shpirtin e njeriut, brenda tij i ka rregulluar kodet e dashjes që të reflektojë, duke dashur, të paktën, një natë të mos jetojë si njeri! Si ai kur qoftëlargu e detyron burrin ta vret nusen, ende pa e shtrirë në shtrat…

Sot ne, prindërit, u blejmë fëmijëve maskota që të duken sa më të tmerrshëm para njëri-tjetrit, e fëmijët nuk tregojnë shenja frike!

Pse?

Sepse, u ngjajnë pak atyre për të cilët folëm dhe për të cilët e kemi fjalën…

Dhe, zor t’i bie në fije njerëzimi jetës sot. Kur lexoj portalet për gjendjen aktuale politike në Kosovë, shoh se asgjë nuk funksionin si duhet, kurse politikanët tanë krekosen se çdo gjë është në rregull!
Nuk di kush e ka mirë e as kush e ka keq…
Kur bisedojmë për këtë punë, mua më thonë se e ke mirë që nuk e di variantin sa kush e ka mirë e kush e ka keq…

Kisha pak simpati për Lëvizjen “Vetëvendosje”, sepse u treguan të hekurt kundër Serbisë, por as prej tyre s’ka gjë: u përçanë e u ndanë pikë e pesë!
Edhe LDK-ja më shumë flet sesa që vepron. Kam bindjen se secili flet për qejf të vetin!
Pra, vetëm llafe, apo, siç thonë spanjollët, “pallavra”!

Dhe, nuk po pajtohem me veten fare! Nuk di: sa them ashtu e sa kështu, me siguri, jam me qoftëlargun!
Kur kam qenë fëmijë një fqinj imi ia la udhëheqjen e shtëpisë një të riu. Burrat thanë: “A i lihet fëmijës shtëpia, ore?! Haj medet po kohë e keqe ka ardhur!”.

Dhe, këto janë shenja që qojnë diku: Në mos askund sjellin një pikëpyetje për botën e së ardhmes.
E, si mund të ketë të ardhme bota me gjithë atomin që e ka?! Faturën do ta paguajmë të gjithë, faj e pa faj… Kjo i bie si rasti kur janë takuar dy vetë në spital, të dytë pacientë.
E pyet njëri-tjetrin:

“Pse ti këtu, çka t’ka ndodhur?”.

“Këtu jam, sepse nuk i bleva gruas veturë!”.

“Po ti, pse je këtu?”, ia kthen tjetri.

“Unë jam këtu se i bleva gruas veturë!”, i përgjigjet.
Kështu, duket edhe fatura e atomit nëse ai përdoret… Të gjithë do të vdesim… Sepse, qoftëlargët nuk janë vetëm te njerëzit e ditur apo të shkencës, por kanë hyrë edhe në shpirtin e atyre që i thonë vetes fetarë. Paraja e ardhur nga jashtë i ka prishur njerëzit…

Dhe, kjo është e saktë, nuk ka dilema…
Për ata që besojnë ka shumë shembuj, e që tregojnë se edhe brenda shtëpisë me i dhënë para dikujt, e që vijnë nga jashtë, ai që i merr e prish shtëpinë! Sepse, paraja të qon në xhehenem, qysh do të thoshte shkrimtari i letërsisë së vjetër shqipe, Hasan Zyko Kamberi.

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË