Vala

Ai njeri zor se do të lindë ndonjëherë! Lindjen e tij e ka lypur qysh Migjeni, por deri në kohët tona nuk është lindur.Ai njeri do të duhej të mos ishte si liderët që i kemi sot në skenën shqiptare, nga Tirana e deri në Preshevë, por do të duhej të ishte shumë më ndryshe se këta që i kemi. E, për të mos qenë si këta që i kemi, është shumë lehtë: Të mos gënjejnë, të mos korruptohen, të mos inskenojnë…

Do të presim edhe shumë që ta lindim një njeri, i cili do të bëhej figura adekuate e Migjenit. Ai njeri edhe mund të jetë lindur, por nuk e dimë.

Mund të jetë në mesin tonë, por ne nuk kemi mësues ta drejtojë gishtin kah ai e të thotë: “Ja ku e kemi një të tillë, që e kërkonte Migjeni!”.

Pse na duhet ai njeri neve, shqiptarëve, që do ta prisnim të rritej e të bëhej lider që ta dëgjojë shumica e popullit?

Na duhet një i tillë, sepse sot grindemi pa ditur se cili është qëllimi i sakrificës! Nuk dimë nëse, konkretisht, ata që grinden, janë pjesë e një skenari të inskenimeve të ndryshme…

Nuk kemi njerëz të besueshëm. I kemi humbur arsyet të besojmë në liderët tanë politikë në Kosovë, por edhe në Maqedoni, e në Shqipëri që moti!

Pse të lindej ai njeri që do të bëhej një lider i madh kombëtar, pas të cilit do të shkonte populli dhe çfarë do të duhej të ishte ai?

Lideri që do të lindej për t’i besuar populli do të duhej të mos jetë hajn. Të mos jetë gënjeshtar. Të mos jetë premtues. Të mos jetë njeri që i gëlltitë fjalët e veta, pështymën e vet. Të mos jetë i zhytur në korrupsion. Të mos jetë pjesë e grupeve kriminale. Të mos jetë lider që do fliste me të njëjtin fjalor të liderëve tanë sot.

Ai do duhej të fliste krejt ndryshe prej këtyre që i kemi. Lider që do duhej të merrte vendime konform zhvillimit të kombit, e në interes të përgjithshëm të kombit. Do të duhej të jetë njeri që nuk do ta kishte synim parësor interesin personal dhe hajninë. Ai do duhej të ishte i drejtë, pa dredhi…

E, jo si këta tanët: Pa marrë parasysh marrëveshjet e shumta në Bruksel, Ura mbi Ibër nuk është hapur! Barrikada është po aty ku kishte qenë para se të fillonin bisedimet! Rojat e urës janë po ata njerëz që kanë qenë para marrëveshjes, por dallimi është se ata tani janë bërë policë të Kosovës me uniformë dhe rrahin shqiptarë kurdo që duan! Pra, dajaku është i njëjti si ai para marrëveshjes.

Edhe në Shqipëri është po kjo gjendje. Si Berisha, si Rama, si dikur Nano, pamja është e njëjtë, dallojnë vetëm fjalët dhe ofendimet ndaj njëri-tjetrit…

Në këtë kohë, kur duhet të reformohemi dhe të kemi identitet të kulluar akademiko-kombëtar në politikë, ne bëjmë akoma politikë lokaliste dhe ndërurrejtëse.

Kur dëgjoni seancat parlamentare të Parlamentit të Shqipërisë, e shihni maskaranë më reale të urrejtjes nacionale, të cilët nuk shohin se çka ndodh mbi Urën e Ibrit, nuk shohin se çka ndodhi dikur në Kumanovë, çka ndodh në Preshevë e Plavë e Guci… Nuk shohin matanë verbërisë së tyre personale!

Si të gjendet një njeri si e ka kërkuar Migjeni?

Është vështirë të lindet njeriu që e kishte kërkuar Migjeni në poezitë e veta, në krijimtarinë e vet, duke arsyetuar ndryshimin me lindjen e këtij njeriu: “Të lindet një njeri!”.

Po bëhet një shekull që po kërkohet ai njeri. A do të ishte ai një Skënderbe apo një tjetër njeri, pak ka rëndësi, por rëndësia qëndron në faktin se ai duhet lindur që t’i orientojë shqiptarët në rrugën e duhur kombëtare. Por, deri më tani nuk është lindur!

Një i tillë, përafërsisht siç e lypte Migjeni, ishte Ibrahim Rugova, pas të cilit, gjatë një dekade të plotë u rreshtua populli i Kosovës dhe u betua në të…

Më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, rastisa të pija një gotë raki me një fqinj timin, e që ka punuar në një post komunal. Si njeri në pension, ai tash ka mjaft kohë për debate spontane… Ma mori për të madhe kur i thashë se buxhetin e Kosovës e ka keqpërdorur qeveria që në kohën e Thaçit, kryesisht me ndërtimin e rrugëve.

Ai, kurrsesi, nuk u pajtua se buxheti është keqpërdorur! Nuk u pajtua se Kosovës bisedimet në Bruksel i kanë sjell dështime, ndërsa Serbisë avancim për në Evropë. Nuk u pajtua se qeveritë që ishin njëra pas tjetrës e kanë sjell Kosovën buzë falimentimit ekonomik…

Njerëzit që nuk janë absolutisht në ngjarje me rrethanat politiko-ekonomike në Kosovë, akoma vlerësojnë me ato kute që kishin matur dikur në komunizëm, e që e kishin matur copën e prerë të stofit se duhet t’u bie tamam të gjithëve që kanë nevojë për veshje.

I ngarkuar me zhgënjim, i thashë vetes: “Kush do ta lindë atë njeri në këtë masë?!”.

Me siguri, tash jo se jo, por brezat e ardhshëm do të lindin njeriun që e ka kërkuar Migjeni, që do t’i drejtonte shqiptarët në rrugën e civilizimit botëror dhe të respektimit të ligjit dhe shtetit. Njeriu migjenian do të duhej t’i trajtonte njëjtë të gjithë shqiptarët, pavarësisht orientimit të tyre politik.

Shteti i Nastradinit

Ne bëmë një shtet të shumëpritur, Republikën e Kosovës, të cilin e festuam dhe të cilit ia kemi hatrin aq shumë sa askush tjetër në botë shtetit të vet. Populli e do shtetin, por liderët e shfrytëzojnë shtetin për qëllimet e veta. Në vend se t’u dhimbset shteti, atyre u dhimbset çdo gjë si e mirë materiale.

Nastradini e kishte një lopë, nga e cila edhe e mbante familjen me qumësht. Lopa sëmuret dhe ngordh. Ai filloi të qajë, e askush nuk e pajtonte. Për fat të keq, gruaja i kishte vdekur një muaj para se të ngordhte lopa e s’kishte kush ta ngushëllonte.

Kur i kishte vdekur gruaja, Nastradinin askush nuk e kishte parë duke qarë. Por, kur fqinjët e panë duke qarë për lopën e ngordhur, nga kureshtja e pyetën: “Pse qan kaq shumë për lopën Nastradin, kurse për gruan që të vdiq para një muaji nuk të pa askush duke qarë?”.
Nastradini u përgjigjet:

“Kur më vdiq gruaja fqinjët më thanë se kanë me ma gjetur një grua edhe më të mirë dhe nuk kisha arsye të qaja. Por, tash, që më ngordhi lopa, nuk vjen askush t’më thotë se kanë me ma blerë një lopë tjetër!”.

E, kështu janë edhe liderët tanë: Qajnë për mallin e tyre nëse e humbin, e jo edhe për shtetin!

Andej lumit Ibër e kemi një pjesë të Kosovës, në të cilën nuk mbjellim asgjë, por Beogradi e mbjell dhe e korrë vetë!

Pra, shtetin tonë nuk e ruajmë! Nuk e ruajmë, sepse ende jemi nën ndikimin e mentalitetit të mbrapsht dhe naiv se shtetin duhet vjedhur e jo krijuar! Çdo kund në botën e civilizuar garojnë për të marrë poste për t’i shërbyer shtetit e popullit, e te ne garojnë për ta vjedhur shtetin dhe për ta varfëruar popullin!

Ishin dehur dy vetë. Pas mesnate ktheheshin në shtëpi. Hëna ndriçonte mirë. Njëri që digjej së brendshmi nga rakia i thotë tjetrit:

“Kam vapë nga dielli që ngrohë shumë!”.

Tjetri i thotë:

“Nuk është dielli, por hëna!”.

Dhe, njëri dielli e tjetri hëna, u bën copë… Vjen një pijanec tjetër, e njëri e pyeti:

“Ej, shok, do të na tregosh a është hëna a dielli ky që ngrohë tash?”.

Ai ngriti kokën drejt qiellit, vuri dorën mbi vetulla dhe tha:

“Më falni, nuk po e njoh, se nuk jam prej këtij vendi!”.

Ja, kështu është edhe te ne, kur shtetin e udhëheqin njerëzit që nuk e njohin punën e tyre…

Edhe 19 vjet paslufte, jemi më të diskriminuarit në Evropë, pa të drejtë të lirë qarkullimi! Ne, viktimat e vitit 1999, për të cilët erdhi këtu NATO, tani po paguajmë çmimin e popullit të dënuar!

Andaj, shtrohet pyetja: A jemi aq të këqij sa të mos e gëzojmë atë që e gëzojnë të tjerët?

Nuk di, por di një gjë tjetër: Me ne po befasohen të gjithë! Neve po na qesin kushte e kritere më të ashpra se të gjithë të tjerëve!
Çudi, a?

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË