Ma ndërruan burrin!

Ma ndërruan burrin!
Ma ndërruan burrin!
Ma ndërruan burrin!

Mezi e kam përballuar shpirtërisht dhe fizikisht gjithë atë që më ndodhi në ditët e para të martesës sime, ditë kur pash haptazi se ma kishin ndërruar burrin! Nuk ishte ai që e kisha parë dhe njohur në fotografi, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, L. S., nga Gjermania.

Në rrethinën ku jetoja unë, në një fshat të Dukagjinit, ishim shumë femra që kishim mbetur pa u martuar, meqë djemtë në vitet 90 masovikisht ia mësyn Perëndimit, meqë në atë kohë me të madhe e lëshonin Kosovën, kinse për të gjetur fat më të mirë... E ne, femrat e harruara, shkaku i virtyteve të larta mbetëm në shtëpitë tona, duke pritur të gjenim fatin tonë.

Pasi i kisha mbushur 28 vjet dhe e kisha kryer që moti shkollën e mesme, mbi të gjitha, pasi nuk kisha “gabuar” deri atëherë, pavarësisht se kishte kohë që unë jetoja në Prishtinë te vëllai im, një ditë takova një ish-shok të shkollës së mesme, me të cilin pimë nga një kafe. Ai kishte disa vjet që po jetonte në Gjermani dhe e kishte gjetur me kohë fatin e vet me një gjermane, e që ishte penduar shumë shkaku se martesa e tij ishte bërë me kushte, e që atij ia mundësonin marrjen e leje qëndrimit në Gjermani. Më tha se kishte një shok, moshatar tonin, i cili ishte me leje të përhershme qëndrimi në Gjermani dhe kishte dëshirë të njihej me një shqiptare për qëllime martesore.

Si ndodhi ngjarja?

Ai aso kohe s’kishte mundësi të vinte në Kosovë, sepse, sipas tij, e kërkonte policia serbe. Por, njohja jonë do të bëhej kryesisht me anë të fotografive tona që do ia dërgonim njëri-tjetrit nëpërmjet shokut tonë, thënë shkurt, mesitit tonë. Dhe, unë menjëherë ia dhashë shokut tim një album me fotografi të miat, që nga mosha më e re e deri në ditët e atëhershme... Ndërkaq, ai, i zgjedhuri im, do t’i dërgonte fotografitë e veta nëpërmjet një agjencie turistike të Pejës, autobusët e së cilës agjenci në atë kohë shkonin e vinin me të madhe, shkaku i shkuarjes së të rinjve tanë në Perëndim. Por, jo dhe vetëm i të rinjve...

Ashtu edhe ndodhi. Shumë shpejt i mora fotografitë e pritura me padurim, të cilat, pa dyshim, mund t’i pëlqenin secilës femër. Në fotot që mora shihej një mashkull i bukur, xhentëlmen, tamam top-model. Ambienti ishte një vend i bukur, që të jepte të kuptosh se ai jetonte në kushte të mira jetese, se kishte standard të lartë jetësor, e që ishte një bazë e mirë për jetë të ardhshme martesore...

Vumë edhe kontaktet e para me telefon dhe pas disa ditësh arritëm të biem dakord që të bëjmë fejesën, edhe pse nuk ishim parë asnjëherë, por vetëm duke i shikuar fotot e njëri-tjetrit dhe duke ia dëgjuar zërin njëri-tjetrit në telefon. E, unë kurrë nuk kisha ëndërruar e as imagjinuar një gjë të tillë... Madje, ç’ishte edhe më befasuese, nëpërmjet një të njohshmi të tij që kishte ardhur nga Gjermania ma kishte dërguar garancionin, me të cilin do të paraqitesha në ambasadën gjermane për vizë, i cili garancion, sipas tij, do ma mundësoj pa kurrfarë problemi marrjen e vizës.

Megjithatë, askush nga familjarët e mi nuk befasohej me një gjë të tillë, sepse koha ishte e tillë...

 Dhëndri s’ishte ai i fotografisë!

Në Mynhen do më priste shoku im, mesiti ynë, posa unë të zbrisja nga autobusi dhe do më dërgonte në banesën e tij, në të cilën banesë pastaj do të vinte dhëndri dhe më merrte nuse...

Posa zbrita nga autobusi kisha bindjen se punët po shkonin sipas planit dhe marrëveshjes. Pas dy ditësh që arrita në Gjermani ishte e diel, ditë kur edhe do vinte dhëndri me veturë e do më merrte nuse. Erdhi vetë i treti... Më morën e më dërguan në një periferi të qytetit, por edhe atje ishte bukur. Në mbrëmje të gjithë shkuan e unë mbeta vetëm më dhëndrin. Nuk ishte ai i fotografisë dhe asgjë të përbashkët nuk kishte me fotografitë që i kisha shikuar me qindra herë... U befasova aq shumë sa as nuk mund të flisja. Mbetëm vetëm unë e ai në dhomë... Unë ende isha e veshur me fustanin e nusërisë që ma ofroi shoku im para se të vinte të më merrte dhëndëri, por mërzia dhe dëshpërimi më kishin kapluar tërësisht.

“A është e mundur t’më tradhtoj shoku im?!”, e solla në mendje.

I “zgjedhuri” im m’u afrua afër dhe filloi t’ma shpërthekoj fustanin e nusërisë, kurse unë e shikoja e habitur. Në çast mendova t’i them jo... Në atë luftë timen me vetveten, ai m’i hoqi ngadalë rrobat, më shtriu në shtrat dhe mbi mua provoi forcën e jo dashurinë... Mezi e përballova...

E luta t’më tregonte sinqerisht pse e kishin bërë atë inskenim me fotografi të dikujt tjetër. Ai u tregua i drejtë dhe më tha: “Fotot që t’i kam dërguar nuk kanë të bëjnë asgjë me mua, sepse unë jam tjetër njeri, siç po e vëren edhe vetë, sepse kam pasur nevojë për femër, për grua”.

Ajo natë kaloi si kaloi... Nuk ma donte shpirti atë njeri, ani pse tash më bëri grua të tij... Kishte një pamje tjetër nga ai në fotografi, për të cilin kisha thur ëndrra se si do të bëhem grua e tij.

 Ai më tradhtoi, por edhe unë e tradhtova...

Vinin mysafirë kryesisht në mbrëmje. Unë u shërbeja pa pritesë, sepse kështu isha e edukuar në familjen time, në Dukagjinin tim, që mysafirët t’i prisnim si e më mirë. Një mbrëmje “im burrë” solli në banesë një shok të vetin, me të cilin më tha se ka kohë që punojnë bashkë. Qëllimi i mysafirit, siç tha im burrë, ishte të shihte se kënd kisha marrë për grua... Thënë shkurt, ishte paksa më i ri se im burrë, por shumë më i pashëm dhe sikur më bëri për vete që në shikim të parë... Më mbetën sytë në të... U bëra darkë dhe pastaj edhe çaj. Pas një kohe ai u ngrit që të shkonte. Ia dhashë dorën dhe ia shtrëngova pak, por jo edhe shumë, sepse u frikësova se mos do e hetoj ai, im burrë.

Dhe, prej asaj nate ai filloi të vinte të ne, së paku dy herë në javë.

Ndërkohë, gjërat filluan të vijnë në vend të vet: pas dy muajsh tim burrë kompania e dërgoi një javë në një vend tjetër, e që nuk kishte mundësi të kthehej në mbrëmje shkaku i largësisë së madhe. Një mbrëmje në derën e banesës sime u dëgjua zili. Kur shikova në vrimën prej qelqi pash se ishte ai, shoku i burrit tim. T’ia hapja derën a jo, e solla në mendje. Dhe, teksa unë hamendesha se ç’të bëja, ai i ra edhe një herë zilit. Tash nuk u hamenda më dhe e hapa derën. Më përshëndeti me një buzëqeshje të lehtë. Dhe, pa një e pa dy u kthye në krah dhe përbiroi brenda.

U ul në kolltukun ku ulej gjithmonë e unë i bëra kafe. Më tha se e dinte që nuk e kisha burrin në banesë dhe se ai ndodhej nja 100 kilometra larg nesh. Kjo edhe ishte arsyeja pse ai këtë herë kishte ardhur te ne...

Me kafenë përpara u ula edhe unë afër tij dhe biseduam gjerë e gjatë, pa u ngutur fare. Ndërkohë, ai u afrua edhe më afër meje dhe njërën dorë ma vuri mbi këmbën time. Thënë të drejtën, edhe pse që në takimin e parë kisha ndier nevojë për të, tash, kur më erdhi rasti, disi u stepa... Por, kur ofrova dorën që t’ia merrja filxhanin e kafesë, sepse kishte kohë që e kishte pirë kafenë, ma mori dorën dhe ma puthi. Të dridhura ma përshkruan trupin... Dhe, kur vërejti se unë humba tërësisht, më rroku për beli dhe më shtrëngoi fort e fort, aq sa iu dorëzova tërësisht...

Në shtratin tim të fjetjes të dy trupat tanë u bën një... Pastaj, bëmë atë që bëhet në ato momente... Dhe, përjetova gjithë atë që kisha ëndërruar se do e bëja me tim burrë derisa isha në Kosovë, në pritje për t’u bërë nuse...

Pas dy vjetësh, me marrëveshjen e tij, e lash burrin dhe u martova për të. Për çudi, im burrë i deriatëhershëm nuk reagoi edhe aq, ndoshta nga fakti se e dinte se nuk e doja, se më kishte tradhtuar... Sikur e brente ndërgjegjja për tradhtinë që ma kishte bërë..L. S./Kosovarja/

Portali kosovarja-ks.com është themeluar në nëntor të vitit 2008 nga revista Kosovarja.

[email protected] [email protected] Tel: +383 38 51 75 75 - MOB: +383 44 14 34 48;

Na ndiqni në

http://kosovarja.al/perjetime/