Faruk Tasholli: Pak fjalë për mikun tim, Lazim Destani

Faruk Tasholli: Pak fjalë për mikun tim, Lazim Destani
Faruk Tasholli: Pak fjalë për mikun tim, Lazim Destani
Faruk Tasholli: Pak fjalë për mikun tim, Lazim Destani

Me rastin e ndarjes së çmimit Doctor Honoris Causa
nga Universiteti i Tetovës

Këtë fillim jave, Universiteti i Tetovës, zgjodhi një ditë dhe zgjodhi një burrë të asaj ane, për t'i ndarë solemnisht çmimin prestigjioz Doctor Honiris Causa.Është ky Lazim Destani,një nga biznesmenët më të suksesshëm të botës shqiptare në përmasa ndërkombëtare. Ky çmim nuk nderoi vetëm Lazim Destanin, por familjarët e tij, bashkëvendasit në shpatijet e Sharrit dhe miqtë e shumtë të tij të shpërndarë nëpër botë. Si një nga miqtë e tij të vjetër, natyrisht, edhe unë përjetova një kënaqësi në këtë atmosferë festive, prandaj dua t'i them pak fjalë, që ndoshta nuk i thonë as nuk dinë t'i thonë të tjerët. Këtë njeri fisnik, personalisht e njoha pikërisht në vitin kur u themelua Universiteti i Tetovës nga bashkëvendasi i tij Profesor Fadil Sulejmani. 

Në atë themelatë të rëndësishme shqiptare po ky Lazim Destani ishte një gur i padukshëm, pasi kishte ndarë mund e mjete për tempullin e dijes që po pengohej nga pushteti maqedonas i kohës. Me të ishin edhe shumë bashkëvendas nga Malësia e Tetovës, e më së shumti nga Bozovca, andej nga vinte edhe profesor Sulejmani. Ato ishin vitet e para kur ky njeri kishte bërë një ndërmarrje udhëtimesh me emrin simbolik Sharr-Turist. Por që atëherë e sot, kahdo që ka kaluar, Lazim Destani fitimin e tij e ka ndarë me të tjerët, qoftë me institucionet kombëtare, qoftë me njerëzit e shkencës e të kulturës, qoftë me miqtë apo me skamnorët në nevojë.

Nëse dikush mendon se ky dhe çmimet tjera Lazim Destanit iu ndanë për shkak të pasurisë që ka, gabojnë rëndë.Ai është më i pasur se pasuria e vet. Ai punësoi mijëra njerëz në kompaninë e vet Ecolog dhe sa herë shtoi pasurinë, ngushtoi varfërinë te shqiptarët.Por jo vetëm kaq, Lazim Destani në rrjedhat e biznesit ndryshoi shumë në planin financiar, por nuk ndryshoi kurrë në planin njerëzor. Ai krahas rritjes së biznesit veç sa e rriti reflektimin e shpirtit të tij të sinqertë e njerëzor. Nuk i harroi dot bashkëpunëtorët, miqtë aty ku jetoi e veproi dhe njerëzit që e rrethuan gjatë jetës. 

Jo rrallë më ka ndodhur viteve të fundit, kur ka dëgjuar për ndonjë fatkeqësi apo raste vdekjeje në mërgim, të më ketë thirrë ai ose ndonjëri nga familjarët e tij dhe të shfaq gatishmërinë për ndihmë. Kështu, ai ka dëshmuar se kur e din, nuk pret që nevojtarët t'i trokasin në derë, por ai u troket atyre. Ai ishte që kur e kishte Sharr-Turistin,në raste fatkeqe, kur nuk kishte vend në aeroplan, ta përbironte njeriun me anëtarët e ekipazhit të fluturimit. Ai edhe sot, ku kohën e ka shumë të kufizuar, kthehet të vizitojë miqtë, por më së shumti ata që i ka zënë ndonjë sëmundje në vitet e pleqërisë. Atij mund t'i ikën aeroplani në ndonjë udhëtim, por nuk mund t'i ikën rasti që të jetë pranë të sëmurit, pranë nevojtarit, pranë miqve me të cilët ka ndarë pjesë të lumtura dhe të vuajtura të jetës.

Kur iu nda ky çmim, kujtesën time e prekën fjalët e profesor Fadil Sulejmanit, kur jo në pak raste, thoshte se Lazim Destani është një njeri dhe një patriot i madh. Ai këtë e kishte përjetuar nga afër. Por unë këtu, kam kënaqësinë të shtoj se Lazim Destani, është nga ata njerëz që shkrin pasuri për të bërë Shqipëri, e jo si disa që shesin Shqipëri për të bërë pasuri. 

Lexo Revisten Online

Tetor, 2017

€ 1.99

| Blej Tani
Luiza Hasani vajza me yll në ballë
Isha i fundit i ndershëm
I pazëvendësueshmi
Unë budallaqja, u dashurova në profën e matematikës!

http://kosovarja.al/aktualitet/